Flamuri i shtetit të Serbisë u vendos në hyrje të selisë së presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, më 13 shkurt, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës e ndaloi atë.
Krahas flamurit të Serbisë është edhe ai i Republikës Sërpska, por jo edhe ndonjë simbol tjetër i shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës, njësi administrative e të cilit është edhe Republika Sërpska.
Në të njëjtën kohë, toga e nderit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në këtë entitet ushtroi himnin serb “Zoti i drejtësisë”, në kuadër të përgatitjeve për mirëpritjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Banja Llukë, dhe shënimit të përbashkët të Ditës së shtetësisë serbe dhe të ashtuquajturës Ditë e shtetit të Republikës Sërpska.
Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës i shfuqizoi përkohësisht dispozitat e ligjit në Republikën Sërpska që lejonin shfaqjen e simboleve të shteteve të huaja, me shpjegimin se një gjë e tillë mund të interpretohet si “shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj”.
“Shfaqja e simboleve të shteteve të huaja krahas simboleve të entiteteve, me ose pa simbole të shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës, mund të krijojë iluzionin e mosekzistencës së sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të Bosnje dhe Hercegovinës”, deklaroi Gjykata Kushtetuese e këtij vendi në vendimin e datës 12 shkurt.
Jo shumë larg pallatit të Republikës Sërpska, në dy direkë të lartë në oborrin e Tempullit të Krishtit Shpëtimtar u vendosën, gjithashtu, flamuj të Serbisë dhe të Republikës Sërpska.
Dodik e paralajmëroi vendosjen e tyre si pjesë të shënimit të përbashkët të Ditës së shtetësisë së shtetit serb dhe të Republikës Sërpska.
Në Kuvendin gjithëserb të 8 qershorit të vitit të kaluar në Beograd u vendos që Dita e shtetësisë së Republikës së Serbisë të festohej edhe si “Dita e Shtetësisë” së Republikës Sërpska dhe të shënohej bashkërisht.
Republika Sërpska nuk është shtet, por njësi administrative e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.
Fjalë e diskutueshme është ‘shtetësia’ dhe atribuimi i saj për një njësi administrative brenda Bosnje dhe Hercegovinës.
Miratimi i dokumentit në të ashtuquajturin Kuvend gjithëserb u dënua nga anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, si dhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitoi për herë të fundit Banja Llukën në gusht të vitit 2023, kur tha se sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe Serbisë “nuk ekzistojnë për vendin e tij”.
E gjithë udhëheqja e Republikës Sërpska, me në krye Dodikun, është në listën e sanksioneve të SHBA-së për aktivitete që minojnë shtetin e Bosnje dhe Hercegovinës.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës për ndalimin e vendosjes së flamujve të vendeve të tjera në Republikën Sërpska, mbetet në fuqi deri në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate, lidhur me ndryshimet në Ligjin për përdorimin e flamurit, stemës dhe himnit të Republikës Sërpska./REL