Kievi dhe BE të alarmuar nga perspektiva për një ‘marrëveshje të padrejtë’ në kurriz të Ukrainës

Evropë

Kievi dhe BE të alarmuar nga perspektiva për një ‘marrëveshje të padrejtë’ në kurriz të Ukrainës

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 18:39
Foto ilustrim

Kievi dhe aleatët e tij evropianë kërkuan të enjten që të përfshihen në të gjitha negociatat për paqe, pasi Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putinin dhe tha se Ukraina nuk mund të rimarrë të gjithë territorin e saj dhe as të anëtarësohet në NATO.

Tregjet financiare në Rusi pësuan rritje dhe norma e borxhit të Ukrainës u rrit pas njoftimeve për bisedimet e para të paqes, që nga muajt e parë të luftës më vdekjeprurëse në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, që së shpejti do të hyjnë në vitin e saj të katërt.

Qasja e Presidentit Trump, shoqëruar me ato që po shihen si lëshime në raport me kërkesat kryesore të Ukrainës, ka ngjallur shqetësime si për Kievin ashtu dhe aleatët evropianë në NATO. Këta të fundit thanë se druhen se Shtëpia e Bardhë mund të arrinte një marrëveshje pa ta.

"Ne, si një vend sovran, thjesht nuk do të pranojmë asnjë marrëveshje që do të bëhet pa ne", tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Ai tha se synimet e zotit Putin ishin që të negocionte vetëm me Shtetet e Bashkuara ndaj siç tha ai, ishte e rëndësishme që kjo gjë të mos lejohej.

Zyrtarët evropianë mbajtën një qëndrim jashtëzakonisht të fortë në publik ndaj propozimeve paraprake për paqe të zotit Trump, duke thënë se çdo marrëveshje do të ishte e pamundur të zbatohej nëse ata dhe ukrainasit, nuk përfshiheshin në negociata.

"Çdo zgjidhje e shpejtë është një marrëveshje e padrejtë", tha shefja e politikës së Jashtme në BE, Kaja Kallas. Ajo kritikoi ashpër gjithashtu lëshimet e ofruara paraprakisht.

"Pse po u japim atyre (Rusisë) gjithçka që duan, madje përpara se të fillojnë negociatat?" tha zonja Kallas. "Janë lëshime që nuk kanë funksionuar kurrë", shtoi ajo.

Një burim diplomatik evropian tha se ministrat kishin rënë dakord të angazhoheshin në një "dialog të sinqertë e sfidues" me zyrtarët amerikanë – konsideruar si gjuha më e fortë në leksikun diplomatik - gjatë Konferencës vjetore të Sigurisë në Munih që nis të premten.

Presidenti Trump, që zhvilloi telefonatën e parë të pranuar publikisht me Presidentin Putinin që nga sulmi në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, pasuar nga një telefonatë e tij me Presidentin Zelenskiy, tha se besonte se të dy udhëheqësit donin paqe.

Por administrata Trump tha gjithashtu hapur për herë të parë se ishte jorealiste që Ukraina të priste të kthehej në kufijtë e vitit 2014 ose që t’i bashkohej aleancës së NATO-s si pjesë e ndonjë marrëveshjeje. Ai tha gjithashtu se asnjë ushtar amerikan nuk do të bëhej pjesë asnjë force sigurie në Ukrainë, që mund të formohej për të garantuar një armëpushim.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth tha të enjten se bota ishte me fat që kishte Presidentin Trump "negociatorin më të mirë në planet, që bashkoi të dyja palët për të gjetur një paqe të negociuar", siç tha ai.

Vullneti politik

Kremlini, nga ana tjetër, tha se ishte ‘i mahnitur’ nga pozicioni që po mban Presidenti Trump, që siç tha, ishte në kontrast me atë të paraardhësit të tij, Joe Biden.

"Ekziston një vullnet politik, i cili u theksua gjatë bisedës së djeshme, për të zhvilluar një dialog në kërkim të një zgjidhjeje", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014, përpara se të sulmonte në shkallë të gjerë Ukrainën në vitin 2022, duke marrë kontrollin e territoreve në lindje dhe jug të vendit.

Ukraina i zmbrapsi trupat ruse nga periferitë e Kievit dhe rimori një pjesë të territorit në vitin 2022, por për shkak të numrit të vogël të trupave dhe një ushtrie të paarmatosur mirë, Kievi është detyruar të lëshojë më shumë territor që nga një kundërofensivë e dështuar ukrainase në 2023.

Luftimet e pamëshirshme kanë shkaktuar vdekjen apo plagosjen e qindra mijëra trupave nga të dyja palët dhe kanë shkatërruar qytetet ukrainase.

Numri i saktë i viktimave nuk dihet ende.

Përgjatë këtyre viteve, palët nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre.

Moska kërkon që Kievi të lëshojë më shumë tokë dhe të jetë përgjithmonë neutrale si pjesë e çdo marrëveshje për paqe; Kievi kërkon tërheqjen e trupave ruse dhe garanci sigurie e barazvlefshme me anëtarësimin në NATO, për të parandaluar sulmet e ardhshme.

Zyrtarët ukrainas kanë pranuar në të kaluarën se anëtarësimi i plotë në NATO mund të jetë i paarritshëm në një afat të shkurtër dhe se një marrëveshje hipotetike paqeje mund të lërë disa toka të pushtuara, në duart e Rusisë.

Por Kievi dhe aleatët e tij evropianë e bënë të qartë se ishin të alarmuar nga Presidenti Trump që kishte hapur negociatat me lëshime të dukshme në favor të Moskës, pa rënë dakord më parë për një qëndrim të përbashkët.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andrii Sybiha tha se Kievi mbetet i përkushtuar për të aplikuar me qëllimin për t’u bërë pjesë e NATO-s, gjë që ai tha se ishte mënyra më e thjeshtë dhe më pak e kushtueshme për Perëndimin për të ofruar garancitë e sigurisë të nevojshme, për paqe të qëndrueshme.

"Të gjithë aleatët tanë kanë thënë se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është e pakthyeshme. Kjo perspektivë është në kushtetutën tonë. Është në interesin tonë strategjik", tha ai.

Në kryeqytetin e Ukrainës të enjten qytetarët ishin shpresë pak.

Ndërsa qëndronte pranë një numri të madh flamujsh në qendër të qytetit vendosur për të nderuar trupat e rënë, Myroslava Lesko, 23 vjeç, banore e Kievit tha se: "realisht duket sikur duan ta dorëzojnë Ukrainën, sepse unë nuk shoh ndonjë përfitim për vendin tonë nga këto negociata apo retorika e Trump-it".

Megjithatë, ukrainasit janë lodhur nga tre vjet luftë dhe shumë thonë se janë të përgatitur të sakrifikojnë disa gjëra, për të arritur paqen.

Shumë ishin të mërzitur me politikën amerikane nën ish-Presidentin Biden, i cili ishte zotuar se do të ndihmonte Ukrainën që të rimerrte të gjithë territorin e saj dhe kishte ofruar ndihmë ushtarake në dhjetëra miliarda dollarë, por me kufizime dhe vonesa që sipas komandantëve ukrainas, u kishte dhënë mundësinë forcave ruse të rigrupoheshin.

Presidenti Trump, të paktën, po tregohet më i drejtpërdrejtë në lidhje me atë se deri ku shkon mbështetja amerikane, tha Tymofiy Mylovanov, president i Shkollës Ekonomike të Kievit.

“Dallimi mes Bidenit dhe Trumpit është se Trumpi e thotë me zë të lartë atë që Bideni po mendonte dhe bënte për Ukrainën”, tha ai..VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat