Alternativa për Gjermaninë (AfD) duket se po shkon drejt rezultatit më të fortë në zgjedhjet kombëtare deri tani. Zgjedhjet gjermane do të mbahen këtë muaj. Pavarësisht që ka shumë pak gjasa të marrë një pjesë të pushtetit së shpejti, partia është bërë një faktor që politikanët e tjerë nuk mund ta injorojnë dhe ka arritur të ketë ndikim në debatin mbi migracionin në Gjermani.
Partia e ekstremit të djathtë hyri për herë të parë në parlamentin kombëtar të Gjermanisë para tetë vitesh për shkak të pakënaqësive me ardhjen e një numri të madh emigrantësh në mesin e viteve 2010. Frenimi i imigracionit mbetet tema e saj kryesore. Megjithatë, partia është dëshmuar e aftë për të shfrytëzuar pakënaqësinë edhe me çështje të tjera: largimi i Gjermanisë nga karburantet fosile, kufizimet gjatë pandemisë COVID-19 dhe mbështetja për Ukrainën pas fillimit të agresionit të Moskës para gati tre vjetësh.
Si filloi gjithçka?
Alternativa për Gjermaninë (AfD), u themelua më 2013 dhe fillimisht u përqëndrua në kundërshtimin e ndihmave financiare për vendet në vështirësi gjatë krizës së borxhit të eurozonës. Masat ishin përshkruar nga kancelarja gjermane Angela Merkel si “pa alternativë”. Fillimisht njihej si “partia e profesorëve”, një referencë për figurat kryesore të partisë në ditët e para, megjithëse që atëherë identifikohej me një brez të fortë të së djathtës së skajshme.
Me kalimin e viteve, AfD u bë më radikale dhe ndryshoi vazhdimisht drejtuesit. Ishte vendimi i Kancelares Merkel më 2015 për të lejuar një numër të madh emigrantësh që e fuqizuan atë si forcë politike. Në zgjedhjet kombëtare të vititi 2017, ajo fitoi 12.6% të votave duke siguruar për herë të parë vende në parlamentin gjerman.
Ku qëndron tani?
Pas kthimit në parlament më 2021 me një mbështetje të reduktuar prej 10.3%, AfD fitoi forcë ndërsa qeveria e qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz u përballë me një sërë krizash, disa të krijuara prej saj dhe më në fund u shemb.
Gjermania u përballë me një valë protestash një vit më parë të nxitura nga një raport që tregonte se ekstremistët e krahut të djathtë u takuan për të diskutuar deportimin e miliona emigrantëve, duke përfshirë disa me nënshtetësi gjermane. Në atë takim, raporti thoshte se të pranishëm ishin anëtarët e AfD-së.
Por kjo nuk i bëri dëm afatgjatë AfD-së në sondazhe. Ajo përfundoi e dyta në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor dhe në shtator. Ndërkaq në një palë zgjedhje shtetërore ishte figura më e njohur në krahun e saj më të djathtë, Björn Höcke, që siguroi fitoren e parë të ekstremit të djathtë në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore.
AfD po shkon në zgjedhjet e 23 shkurtit me besim të përtërirë dhe gjuhë më radikale. Alice Weidel, kandidatja e saj e parë grua për kancelare, ka futur në përdorim termin “ri-emigrim” pasi partia bën thirrje për dëbime në shkallë të gjerë të njerëzve pa të drejtë ligjore për të qenë në Gjermani.
AfD bën thirrje për heqjen e menjëhershme të sanksioneve kundër Rusisë dhe kundërshton dërgesat e armëve në Ukrainë. Ajo dëshiron që Gjermania të fillojë të përdor një monedhë kombëtare. Ajo gjithashtu kërkon që Bashkimi Evropian të shndërrohet në një “shoqatë të kombeve evropiane” që vepron më lirshëm, megjithëse nuk kërkon në mënyrë të drejtpëdrejtë largimin nga blloku 27-vendesh.
Agjencia gjermane e inteligjencës e mban partinë nën vëzhgim për ekstremizëm të dyshuar të krahut të djathtë. Degët e AfD-së në tre shtete lindore quhen grupe “të konfirmuara ekstremiste të krahut të djathtë”. AfD kundërshton ashpër këto vlerësime dhe kundërshton çdo lidhje me të kaluarën naziste. Zoti Höcke ka apeluar dy dënime për përdorimin me vetëdije të një slogani nazist në një ngjarje politike.
Kush e mbështet atë?
AfD ka mbështetje në të gjithë Gjermaninë dhe është e përfaqësuar në të gjitha, përveç dy nga 16 legjislaturat shtetërore, por partia është më e forta në lindjen ish-komuniste dhe më pak të begatë.
Ajo ka një aftësi unike për të shfrytëzuar çështjet “që partitë e tjera nuk i trajtojnë qartësi dhe të njëjtin intensitet apo radikalizëm”, thotë Wolfgang Schroeder, profesor i shkencave politike në Qendrën e Shkencave Sociale të Berlinit. “Përpos kësaj ajo është një parti interneti dhe që në fillim përdori fuqinë e internetit për komunikim shumë më mirë se të gjitha partitë e tjera gjermane së bashku.”
Kjo e ka ndihmuar atë të sigurojë mbështetje mes votuesve të rinj në zgjedhjet e fundit rajonale. Partia e portretizon veten si një forcë kundër elitave në një kohë kur ka rënie të besimit te politikanët. Shpesh AfD-ja i ka quajtur ‘partitë e vjetra’ si një ‘kartel’.
Profesor Schroeder e përshkroi atë si “si një fushë që mbledh inatin dhe zemërimin”. Partitë e tjera thonë se nuk do të punojnë me të.
Kush janë miqtë e saj jashtë vendit?
Rritja e AfD-së përkon me rritjen e partive të ekstremit të djathtë në shumë vende të tjera evropiane, duke përfshirë ‘Partinë e Lirisë’ së Austrisë dhe ‘Bashkimin Kombëtar’ në Francë, me të cilat ajo ka shumë pika të përbashkëta. Zonja Weidel ishte në Budapest për të vizituar Kryeministrin hungarez Viktor Orbán të mërkurën.
Megjithatë, ajo nuk është pjesë e grupit të këtyre partive i quajtur ‘Patriotët për Evropën’ në Parlamentin Evropian pas disa tensioneve mes tyre para zgjedhjeve të BE-së të vitit të kaluar. AfD u përjashtua pasi kandidati kryesor i saj në atë kohë, Maximilian Krah, tha se jo të gjithë anëtarët e grupit nazistë SS “ishin domosdoshmërisht kriminelë”.
Partia ka gjetur një mbështetës entuziast te miliarderi Elon Musk, një aleat i ngushtë i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Zoti Musk ka deklaruar se “vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë”. Ai zhvilloi një bisedë të drejtpërdrejtë në rrjetin social ‘X’ me zonjën Weidel, kandidaten e AfD-së për kancelare dhe bëri lidhje të drejtpërdrejt me video në një tubim të fushatës së AfD-së.
Në atë tubim, zonja Weidel u zotua ta “bëjë Gjermaninë përsëri të madhërishme” duke i bërë jehonë sloganit të presidentit amerikan./VOA