Dy dronë rusë janë rrëzuar në Moldavi të mërkurën mbrëma pas një sulmi në një port ukrainas përtej kufirit midis dy vendeve, ka njoftuar presidentja moldave Maia Sandu.
Sandu tha të enjten se dronët Shahed të projektuar nga Irani që shkelën hapësirën ajrore të vendit të saj “vënë në rrezik jetën e moldavëve”, shkruajnë mediat e huaja.
Dronët u rrëzuan në një zonë rurale në jug të vendit pas një sulmi ajror rus gjatë natës në portin Reni të Ukrainës në rajonin Odesa, vetëm 9 kilometra nga qyteti moldav Gurgulesti dhe 26 kilometra nga qyteti i Galatit në Rumani, sipas policisë kufitare moldave.
Po punohet për zbardhjen e ngjarjes, e cila nuk dyshohet se ka lënë të lënduar.
“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës kaloi përsëri në Moldavi”, tha Sandu në një postim në platformën e mediave sociale X. “Rusia nuk respekton kufijtë, sulmon civilët, përhap terror. Lufta e saj kundër Ukrainës është kriminale”.
Në përgjigje të incidentit, Ministria e Jashtme e Moldavisë ka thirrur në bisedë kreun e misionit diplomatik rus në kryeqytetin, Kishinau, dhe ka dënuar “shkeljet e papranueshme” që “paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe qytetarët” e Moldavisë.
Ministria tha se i ka paraqitur diplomatit rus fragmente të dronëve “si provë konkrete” të shkeljeve.