Borë e tensione në nisje të Konferencës së Sigurisë në Munih

Evropë

Borë e tensione në nisje të Konferencës së Sigurisë në Munih

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 11:31
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zbret nga makina e saj nën reshjet e borës, për të marrë pjesë në Konferencën e 61-të të Sigurisë në Munih, 14 shkurt.

Konferenca e shumëpritur e Sigurisë në Munih nisi të premten mes reshjeve të borës dhe thashethemeve të mëdha nëse ky tubim do të çojë drejt një arritjeje diplomatike për ta gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Delegacioni amerikan udhëhiqet nga nënpresidenti JD Vance, i cili pritet të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, para se të mbajë fjalim në skenën kryesore pasdite.

Ajo që nuk është e qartë ende është nëse në Munih ndodhet ndonjë delegacion rus. Në listën zyrtare të mysafirëve nuk ka përfaqësues rusë.

Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se zyrtarët amerikanë dhe ata rusë do të takohen të premten në Munih dhe se Ukraina është e ftuar, gjithashtu.

Trumpi tha po ashtu këtë javë se kishte biseduar në telefon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Kievi ka thënë se nuk pret që në Munih të zhvillohen bisedime të tilla.

Sidoqoftë, Munihu është mundësia e parë për shumë liderë evropianë për t’u takuar me zyrtarë të lartë nga administrata e re amerikane, përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, të dërguarin amerikan për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, dhe sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Hegseth veçse ka shkaktuar tronditje gjatë një takimi të ministrave të NATO-s në Bruksel këtë javë, kur tha se Ukraina nuk mund të presë ta rikthejë territorin e humbur nga pushtimi rus, e as t’i bashkohet NATO-s, në bazë të çfarëdo marrëveshjeje për paqe.

Në mesin e reagimeve nga Evropa, disa komentatorë e përshkruan propozimin si parapërgatitje për një Marrëveshje të dytë të Munihut – duke iu referuar marrëveshjes së vitit 1938, në të cilën Britania dhe Franca iu nënshtruan kërkesave të Gjermanisë Naziste për pjesë të mëdha të Çekosllovakisë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, foli këtë javë për “lëshime” ndaj Rusisë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi kundër “dorëzimit” para Rusisë.

Hegseth deklaroi në një konferencë për shtyp në Bruksel se propozimet e SHBA-së “nuk janë tradhti”.

Por, ai dha gjithashtu një mesazh të qartë se Evropa duhet t’i rrisë ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, në vend se të vazhdojë të varet nga Amerika.

Ky ka qenë mesazh i vazhdueshëm nga Trump prej disa kohësh. Nuk është çudi, pra, që një nga sesionet hapëse të premten ishte një tryezë e rrumbullakët e titulluar “Bëjmë më shumë me më pak përfshirje amerikane? Forcimi i mbrojtjes evropiane”.

Një tjetër sesion, që do të mbahet më vonë të premten, do të përqendrohet te lufta hibride në Detin Baltik. Është një çështje me shumë rëndësi në kohën e tanishme, pasi vendet perëndimore kanë fajësuar Rusinë për një sërë incidentesh që kanë ndikuar në infrastrukturën e kabllove dhe tubacioneve nënujorë muajt e fundit.

Presidenti Zelensky pritet të marrë pjesë në një panel pasdite me temën “E Ardhmja e Bashkëpunimit SHBA – Ukrainë për Sigurinë”. Kjo është një çështje për të cilën mund të mësojmë shumë këtë fundjavë./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat