Lufta kundër imazheve të fëmijëve të dhunuar të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale

Evropë

Lufta kundër imazheve të fëmijëve të dhunuar të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 19:22
Ilustrim

Mbretëria e Bashkuar do të bëhet vendi i parë që po shqyrton miratimin e ligjeve që trajtojnë imazhet e abuzimit seksual të fëmijëve të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale.

Legjislacioni i ri parasheh dënime të ashpra për ata që posedojnë, krijojnë, shpërndajnë, ose që përmes udhëzimeve, mësojnë të tjerët si të krijojnë imazhe të dhunimit të fëmijëve.

Në makinë civile me oficerë policie shkon drejt një shtëpie në një lagje të bashkisë Hertfordshire.

Policia i afrohet shtëpisë së të dyshuarit dhe hap derën me forcë. Qëllimi është që të parandalohet shkatërrimi i provave, para se ato të konfiskohen.

Të dyshuarit brenda besohet se përmes Inteligjencës Artificiale krijojnë dhe shpërndajnë imazhe të dhunimit të fëmijëve.

Ligjet e reja do ta bëjnë të paligjshëm posedimin, krijimin dhe shpërndarjen e imazheve të dhunimit të fëmijëve të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale. Kushdo që kapet, do të përballet me dënime deri në pesë vjet burg.

Ata që posedojnë udhëzime se si mund të krijohen imazhe të tilla përmes Inteligjencës Artificiale, do të përballen me tre vjet burg.

Tashmë është i paligjshëm posedimi i imazheve të dhunimit të fëmijëve të krijuara nga Inteligjeca Artificiale. Ligjet e reja po vënë në shënjestër krijuesit e këtyre imazheve.

Abuzuesit e fëmijëve që menaxhojnë faqe interneti me imazhe nga dhunimi seksual i fëmijëve do të përballen me burgim deri në dhjetë vjet, sipas ligjit të ri.

Sipas një hulumtimi të Fondacionit të Vrojtimit të Internetit, imazhet e dhunimit seksual të fëmijëve të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale në internet, janë katërfishuar brenda një viti.

Raporti thotë se gjatë vitit 2024 janë hasur 245 raste të imazheve të dhunimit të fëmijve të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, krahasuar me 51 raste më 2023, një rritje prej 380 për qind.

Hulumtuesit thonë se në 193 raste, imazhet ishin aq reale, saqë është dashur të trajtohen si të ishin fotografi të vërteta të dhunimit seksual të fëmijëve.

Nënsekretarja Parlamentare e Shtetit për Viktimat dhe për Sigurinë e Brendshme përgjegjëse për ligjet e reja, Jess Fillips, thotë se Britania po udhëheq në trajtimin e krimeve më të tmerrshme në internet.

“Ky është një problem global që ka nevojë për zgjidhje globale, por qeveria britanike po udhëheq përpjekjet për ta shtypur këtë krim të tmerrshëm. Shtimi i imazheve të fëmijëve të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, bazuar në imazhet origjinale të viktimave të dhunimit që ekzistojnë tashmë, ose përmes përdorimit të imazheve të fëmijëve të mi ose të fëmijëve të tjerë për të krijuar përmbajtje të tmerrshme, është një betejë e madhe. Këtu fillon, por nuk mbaron”, thotë ajo.

Zonja Phillips shton se kompanitë e mëdha teknologjike do të nxiten të rrëzojnë faqet me përmbajtje të tillë.

“Kompanitë e mëdha teknologjike mund të bëjnë më shumë dhe duhet të bëjnë më shumë. Ato nuk duhet të presin legjislacionin për të bërë gjënë e duhur. Ata duhet të përdorin kodet e tyre morale dhe të mendojnë për fëmijët e tyre kur vendosin mbi politikat. Puna me kompanitë e mëdha teknologjike në këtë drejtim nuk është diçka e re. Sidomos sa i përket imazheve të dhunimit të fëmijëve është bërë shumë punë ndër vite, me synimin për të kapur dhe hequr këtë përmbajtje. Por, ligji për sigurinë në internet, që do të hyjë në fuqi së shpejti, nënkupton se nëse një kompani dështon të bëjë këtë do të paguajë deri në 10 për qind të fitimeve globale ”, thotë zonja Philips.

Por, Fondacioni i Vrojtimit të Internetit thotë se megjithëse ligji i ri është mirëpritur, imazhet e abuzimit me fëmijë po bëhen më ekstreme dhe se njerëzit nuk duhet të vetëkënaqen duke menduar se përmes këtij ligji do të zhduket ky krim.

Eksperti Derek Ray-Hill thotë se veprimi global është i domosdoshëm.

“Zbatimi i këtyre direktivave është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Si e kategorizoni një faqe që shpërndan mbateriale të abuzimit seksual të fëmijëve? Ky është një krim ndërkombëtar dhe ne i bëjmë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të përdorë ndikimin e saj në skenën ndërkombëtare për të ushtruar trysni ndaj qeverive në mbarë botën për të ndërmarrë veprime të ngjashme”, thotë ai.

Zoti Ray-Hill thotë se çdo fëmij mund të jetë viktimë e imazheve që duken si reale të dhunimit seksual, që mund të krijohen përmes Inteligjencës Artificiale, me disa kërkesa dhe klikime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat