​Kragujevci pret studentët marshues, nesër do të ketë bllokadë prej 15 orësh

Evropë

​Kragujevci pret studentët marshues, nesër do të ketë bllokadë prej 15 orësh

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 21:00
Pamje nga protesta

Studentët e nisur nga qytete të ndryshme të Serbisë kanë arritur sonte në Kragujevc, ku për nesër është planifikuar një protestë e madhe.

Të parët që kanë mbërritur në qendër të Kragujevcit kanë qenë studentët çiklistë, të cilët kanë marrë lule dhe falënderime nga një numër i madh i qytetarëve që kishin dalë për t’i pritur.

Studentët e Universitetit të Kragujevcit, të cilët i janë bashkëngjitur bllokadës tash e sa muaj, dhe organizatorët e protestës kanë publikuar udhërrëfyesin dhe planin për protestën e nesërme.

Mitingu qendror do të mbahet në Bulevardin Lepeniçki afër rrokaqiellit Zastava, me moton "Takohemi në Sretenje" – Dita e Shtetësisë së Serbisë, duke filluar nga ora 09:00 deri në 00:07 pas mesnatës, duke simbolizuar 15 orë bllokadë për 15 viktimat e tragjedisë së Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

Sipas planit, studentët do të nderojnë viktimat e tragjedisë dy herë - në 11:52 dhe 23:52.

Rregullat e protestës, të cilat studentët deklaruan në Instagram, janë që askush të mos shkaktojë incidente, ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike dhe ndezja e zjarreve, dhe do të lejohen për qarkullim vetëm shërbimet emergjente.

Studentët shprehen në rregullore se duhet denoncuar te gardianët çdo shkelje të rregullave të protestës, çdo formë sjelljeje të papërshtatshme, persona me armëmbajtje, persona të dyshimtë dhe provokatorë të mundshëm.

Gjatë protestës do të jetë edhe një ekran i madh, ku pjesëmarrësit do të lënë gjurmët dhe përvojën e tyre nga bllokada, bëjnë të ditur studentët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat