​Protestat në Serbi, sot 15 orë bllokadë

Evropë

​Protestat në Serbi, sot 15 orë bllokadë

Më: 15 shkurt 2025 Në ora: 07:43
Foto ilustrim

Bllokadat dhe protestat e studentëve në Serbisë, të cilat shpërthyen pas tragjedisë në Novi Sad më 1 nëntor 2024, do të vazhdojnë sot me mitingun kryesor në qendër të Kragujevcit për 15 orë.

Studentët e nisur nga qytete të ndryshme të Serbisë kanë arritur natën e kaluar në qendër të Kragujevcit, ku janë pritur nga një numër i madh i qytetarëve.

Sipas planit të publikuar nga studentët e Universitetit të Kragujevcit, të cilët i janë bashkëngjitur bllokadës tash e sa muaj, dhe organizatorët e protestës, mitingu mbahet në Bulevardin Lepeniçki afër rrokaqiellit Zastava, me moton "Takohemi në Sretenje" – Dita e Shtetësisë së Serbisë, duke filluar nga ora 09:00 deri në 00:07 pas mesnatës, duke simbolizuar 15 orë bllokadë për 15 viktimat e tragjedisë.

Studentët do të nderojnë viktimat e tragjedisë dy herë - në 11:52 dhe 23:52. Rregullat e protestës, të cilat studentët deklaruan në Instagram, janë që askush të mos shkaktojë incidente, ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike dhe ndezja e zjarreve, dhe do të lejohen për qarkullim vetëm shërbimet emergjente.

Studentët shprehen në rregullore se duhet denoncuar te gardianët çdo shkelje të rregullave të protestës, çdo formë sjelljeje të papërshtatshme, persona me armëmbajtje, persona të dyshimtë dhe provokatorë të mundshëm.

Gjatë protestës do të jetë edhe një ekran i madh, ku pjesëmarrësit do të lënë gjurmët dhe përvojën e tyre nga bllokada, bëjnë të ditur studentët.

Shembja e çatisë së hekurudhës në Novi Sad la të vdekur 15 persona dhe disa të lënduar. Kjo bëri që studentët serbë të nisin protestat, të cilat u përhapën në të gjithë Serbinë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon përgjegjësi dhe drejtësi.

Presidenti Aleksandër Vuçiq ka akuzuar se pas protestave qëndrojnë shërbimet e huaja me qëllim për ta rrëzuar atë nga pushteti. Deri më tash dorëheqje ka dhënë kryeministri Millosh Vuçeviq, gjë e cila u pa si një strategji e Vuçiq për të fituar në kohë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat