Të shtunën në Serbi do të mbahet një tjetër protestë masive, e cila pritet të shënojë një fazë të re të lëvizjeve studentore në vend.
I ftuar në Euronews Albania, analisti serb Dushan Janjiq komentoi zhvillimet e fundit dhe ndikimin e protestave në skenën politike serbe.
“Një kryengritje studentore me energji të re”
Sipas Janjiq, situata në Serbi ka ndryshuar me ritme të shpejta pas protestave të nisura një muaj më parë.
“Pas manifestimit të mbajtur në Novi Sad javën e kaluar, tani kemi një lloj kryengritjeje. Studentët janë më dinamikë dhe përfaqësojnë një pararoje të re me më shumë energji, e cila bazohet në ideologji,” – tha ai.
Janjiq theksoi se studentët po bëjnë diçka që politikanët e kanë të vështirë ta realizojnë:
“Ata nuk po promovojnë një revolucion për ndryshimin e pushtetit, por po kërkojnë funksionimin e institucioneve dhe drejtësi për ngjarjet e Novi Sadit.”
“Akuzat për manipulim janë të pabaza”
Një nga pretendimet e ngritura nga qarqet qeveritare është se protestat studentore po manipulohen nga jashtë për të rrëzuar presidentin Aleksandar Vuçiç.
“Nuk është e vërtetë që dikush nga jashtë po manipulon studentët për të rrëzuar Vuçiçin.
Ai nuk do të kishte ardhur kurrë në pushtet pa mbështetjen e fuqive të jashtme.
Në këtë situatë, nderhyrja mund të vijë nga SHBA, e cila ka instrumenta të mjaftueshëm mbi të dyja palët,” – tha Janiç.
Ai gjithashtu e quajti “tragjikomedi” akuzat se studentët po përpiqen të krijojnë “Republikën e Vojvodinës”.
“Janë thjesht lojëra të Vuçiçit dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili aktualisht po promovon idenë e ‘Hungarisë së Madhe’.
Kjo teori jo vetëm që është absurde, por edhe kundërproduktive për Vuçiçin,” – theksoi ai.
“Marshimi do të kërkojë liri dhe drejtësi”
Analisti serb shpjegoi se protesta e nesërme do të ketë një objektiv të ndryshëm nga ajo e Novi Sadit.
“Marshimi i nesërm do të kërkojë liri, ndryshe nga ai i Novi Sadit, i cili ishte një protestë për pakënaqësitë.
Këtë herë, mobilizimi do të përfshijë pjesën perëndimore dhe qendrore të Serbisë,” – deklaroi ai.
Sipas tij, frika ndaj sistemit nuk ka vdekur, por po shkermoqet.
“Pas marshimit në Kragujevac, do të kemi një marshim tjetër në Beograd. Qeveria duhet të japë llogari para studentëve, sepse po funksionon me modelin e korrupsionit.
Arrestimi i disa personave për ngjarjet në Novi Sad nuk është i mjaftueshëm. Kryeministri ka dhënë dorëheqjen dhe kemi një qeveri teknike, e cila nuk mund të dialogojë në këto kushte,” – përfundoi Janjiq.
Protesta e të shtunës pritet të testojë ndikimin e studentëve në arenën politike serbe, duke rritur presionin ndaj qeverisë së Vuçiçit.
Situata mbetet e tensionuar dhe zhvillimet e ardhshme mund të jenë vendimtare për rrugën që do të marrë vendi.