Stilisjta e modës Dasha Pomeranz, e lindur në Rusi, sjell histori njerëzore përmes veshjeve që krijon. Koleksioni i saj i fundit është një nderim për gratë që u detyruan të largoheshin nga vendet e tyre të lindjes dhe të fillonin një jetë të re në Shtetet e Bashkuara. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Karina Bafradzhian sjell më shumë hollësi.
Në tre vitet e fundit, stilistja me origjinë ruse Dasha Pomeranz ka jetuar mes Nju Jorkut dhe Uashingtonit. Më parë, ajo jetoi mbi 11 vjet në Londër, pasi u transferua atje nga Moska. Megjithatë, jetesa në Shtetet e Bashkuara e frymëzoi atë të krijonte një koleksion të ri kushtuar emigracionit dhe grave.
“E kuptova se jam e rrethuar nga gra emigrante: prindërit e shokëve të fëmijëve të mi, koleget e mia, të gjithë kishin histori të mrekullueshme mbi jetën e tyre. Ndaj vendosa t’i mbledh këto histori dhe t'i kthej në modele fundesh”, thotë stilistja Pomeranz.
Koleksioni i saj i fundeve “Veshjet e migrimit” i kushtohet disa prej grave emigrante që ajo ka takuar gjatë jetës së saj në SHBA.
Mes tyre është një gazetare etiopiane e cila u arrestua teksa mbulonte zgjedhjet në vendin e saj; një grua hebreje nga Bashkimi Sovjetik që u largua për t’i shpetuar antisemitizmit; një grua boliviane që u rrit me dhunë në familje...
Një nga fundet u frymëzua nga Vera Lyalko - një emigrante nga Kievi, e cila u transferua në SHBA në fund të viteve 1990 dhe tani u ofron mbështetje bashkëkombësve të saj ne Ukraine, ndërsa ata luftojnë kundër forcave ruse.
“Dasha u vu në dijeni se unë kam fondacionin “Ndihmoni Qytetarët e Ukrainës”. Nëpërmjet këtij fondacioni unë ndihmoj ukrainasit, kryesisht me ilaçe. Bashkëpunoj me një sërë spitalesh këtu dhe ata më japin ilaçe që mund t'i dhuroj në Ukrainë", thotë Vera Lyalko, emigrante ukrainase.
Artistja afgane që jeton në Virxhinia, Sughra Hussainy po ashtu ndau historinë e saj. Në Kabul, zonja Hussainy ishte angazhuar në mbrojtje të të drejtave të grave dhe mundësisë së tyre për arsim. Por në vitin 2016, ajo u përball me kërcënime dhe vendosi të largohej nga Afganistani për në SHBA.
“Talebanët nuk e pëlqenin aktivitetin artistik dhe faktin që flisja mbi të drejtat e grave. Ata donin të më rrëmbenin, të më vrisnin, që të ishte një shembull për njerëzit e tjerë, gratë e tjera”, thotë artistja Sughra Hussainy.
Dasha Pomeranz po punon për më shumë histori dhe stilime për koleksionin e saj ndërsa përgatitet për javën e modës në Nju Jork, në pranverë.
“Do të ketë gra nga Haiti që do të flasin për atë që ka ndodhur atje. Është e pabesueshme, të mësosh historitë e njerëzve. Do të ketë edhe gra somaleze që tregojnë historitë e tyre…”, thotë stilistja.
Kontributi i stilistes Pomeranz shkon përtej portetizimit të historitë të grave emigrante – një pjesë e të ardhurave nga shitjet në internet të modeleve të saj shkojnë për fondacione të ndryshme që mbështesin gratë emigrante.