Çfarë ndodhi me ndjekësit e Navalnyt?

Evropë

Çfarë ndodhi me ndjekësit e Navalnyt?

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 17:21
Aleksei Navalny ka vdekur në rrethana të panjohura në një burg në Arktik, më 16 shkurt 2024.

Në librin "Patriot", të publikuar pas vdekjes së liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, është bërë e ditur se ai e ka parashikuar që do të vdiste mbrapa grilave, dhe që do të mungonte në të gjitha fotografitë familjare.

Qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin duket se po tenton të bëjë realitet gjithçka që ka thënë ai, duke shtypur ashpër gjithçka dhe secilin që mund të lidhet me Navalnyn.

Madje publikimi i ndonjë fotografie të Navalnyt tani është vepër penale, meqë autoritetet e konsiderojnë atë “simbol ekstremist”.

Analistët besojnë se raste të tilla janë një prej përpjekjeve të shtetit për të diskredituar Navalnyn dhe ndjekësit e tij, dhe për të zhdukur çfarëdo ndikimi që mund të kenë ata pas vdekjes së tij.

Duke qenë kundërshtari më i madh i Putinit për dekada, Navalny ka vdekur në një burg të quajtur Ujku Polar, më 16 shkurt 2024. E veja e tij, Yulia Navalnya, dhe shumë mbështetës të tij, besojnë se Putini është përgjegjës për vdekjen e tij.

Navalny mezi i ka shpëtuar helmimit në Siberi me agjent nervor të gradës ushtarake, në gusht të vitit 2020, për të cilin pati thënë se ka dëshmi të jetë kryer prej operativëve të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) me urdhër të Putinit.

Pas shërimit në Gjermani, ai është nisur për në Moskë, në janar të vitit 2021, ku është arrestuar sapo ka arritur në aeroport, dhe prej atëherë është mbajtur nëpër burgje të ndryshme, si dhe i janë mohuar shërbime të ndryshme deri në ditën e vdekjes.

Rrjeti i Navalnyt është shpallur organizatë ekstremiste më 2021, ashtu sikurse Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit, raportet hulumtuese të të cilit kanë shpërfaqur një tjetër realitet në Rusi, të një elite të njerëzve të pasur dhe të privilegjuar që janë afër Putinit.

Mirëpo, si para, ashtu edhe pas vdekjes së tij, shumë aleatë të tij janë ndjekur penalisht, janë burgosur, ose janë detyruar të largohen prej Rusisë.

Kur Navalny është varrosur në Moskë, dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur nën vëzhgim të policisë dhe kanë kaluar skaj varrit të tij për t’i dhënë “lamtumirën një burri që simbolizonte liri”, siç ka thënë njëri prej tyre.

Yulia Navalnaya është zotuar se do të çojë përpara kauzën e burrit të saj, duke u bërë thirrje rusëve që sikurse ajo, të bërtasin hapur për “zemërimin dhe urrejtjen ndaj atyre që kanë vrarë të ardhmen tonë”.

Mirëpo, prej vdekjes së tij, e veja e Navalnyt dhe ish-ndihmësit e tij kanë pasur vështirësi në tentimet për të bërë ndryshime, teksa vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë dhe derisa Putini vazhdon të shtypë disidentë të cilët nuk janë larguar prej shtetit.

Një dëshmi për vështirësitë janë edhe qëndrimet e përziera të audiencës për raportin e fundit të Fondacionit Kundër Korrupsionit, ndonëse një i tillë, në situatë tjetër, apo në një shtet tjetër, do të mund të kishte ndikim shumë të madh.

Bazuar në të dhënat e kompanisë, në bazën e të dhënave policore, rrjetet sociale dhe burimet tjera, ka dyshime që gjiganti shtetëror i naftës në Rusi, Rosneft, punëson dhjetëra gra të reja si administratore, mirëpo në fakt ato ofrojnë shërbime eskortash për shefat më të moshuar.

Në hulumtim është thënë të jetë zbuluar se një grua e ka shoqëruar shefin e Rosneftit, Igor Sechin, ndihmës i afërt i Putinit, në një aeroplan privat, të paktën 58 herë prej kur është punësuar më 2016, në moshën 21-vjeçare, dhe atë me një pagë shumë më të madhe sesa punëtorët e saj me përvojë.

Kritikët dyshojnë që dikush mund të fokusohet në këtë temë teksa vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Është një situatë sikurse migrantët gjermanë antifashistë, në vitin e tretë të luftës, kur furrat e Aushvicit kanë qenë duke tymosur, të prezantonin një hulumtim për bordellot private të Goeringut si një çështje me shumë rëndësi”, ka thënë Igor Eidman, sociolog rus që jeton në Gjermani, në disa komente të publikuara përmes Telegramit.

 

 

Të tjerët nuk pajtohen.

“Të dish që të gjithë [të afërtit e Putinit] vjedhin, është një gjë, mirëpo të shohësh të dhëna, sidomos në shkallën që janë publikuar në hulumtim, është diçka krejt tjetër”, ka thënë Maikl Naki, gazetar rus që jeton jashtë shtetit, dhe e ka një faqe në platformën YouTube që fokusohet vetëm në luftën në Ukrainë.

Analisti për Rusinë, Sam Greene, ka thënë se “polarizimi i shkaktuar nga lufta dhe nga politikat ruse, në përgjithësi, kanë gërryer besimin e një pjese të audiencës për këto lloj hulumtimesh, sepse ata që besojnë në to, veçse e dinë që ekzistojnë gjëra shumë më të rënda për regjimin, ndërsa ata që nuk ju besojnë, refuzojnë menjëherë gjithçka, sapo të kuptojnë burimin”.

Mirëpo, “kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë kuptim” ka thënë Greene, drejtor për qëndrueshmëri demokratike në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, në një blog të publikuar më 2 shkurt.

“Një gjë dihet, që kur të ketë mundësi për llogaridhënie në politikën ruse, këto hulumtime do të ndihmojnë në krijimin e bazës për drejtësi. Tjetra gjë është që edhe nëse pak njerëz u kushtojnë rëndësi hulumtimeve, mosraportimi për këtë shkallë të korrupsionit kontribuon në izolim të atyre që besojnë se Rusia mund dhe duhet të qeveriset ndryshe”.

Ben Noble, profesor i politikave ruse në Kolegjin King të Londrës dhe autor i një libri për Navalnyn dhe disidentë tjerë rusë, ka thënë se megjithatë, “ekziston një dozë dyshimi për efektin që ka modeli tradicional” që ndjekin ndihmësit e Navalnyt tani.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një faktor i madh në krijimin e perceptimeve për ndihmësit e Navalnyt dhe aktivitetet e tyre.

Megjithatë, një seri e skandaleve e kanë dëmtuar imazhin e ekipit të Navalnyt që tani njihet si Fondacioni Ndërkombëtar Kundër Korrupsionit.

Ndihmësi më i afërt i Navalnyt, Leonid Volkov, ka dhënë dorëheqje nga pozita e udhëheqësit të Fondacionit më 2023, pas kritikave të ashpra për një letër që e ka nënshkruar, në të cilën është bërë thirrje për heqje të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj oligarkëve rusë, ndonëse vazhdon të jetë shumë i përfshirë në organizatë.

Disa javë pas vdekjes së Navalnyt, disa persona e kanë sulmuar Volkovin me çekan afër shtëpisë së tij në Lituani, duke ia thyer krahun dhe njërën këmbë.

Situata është bërë edhe më kontroverse kur Fondacioni e ka akuzuar manjatin dhe kritikun e Kremlinit, Leonid Nevzlin se i ka angazhuar sulmuesit, diçka që ai e ka mohuar.

Vitin e kaluar, opozita ruse veçse e shpërndarë, është thërrmuar edhe më tepër, kur një ish-aleat e ka akuzuar Fondacionin për “pastrim reputacioni” të dy zyrtarëve në banka ruse, në këmbim të ndihmës financiare dhe administrative. Akuzat janë hedhur poshtë nga Fondacioni.

Vështirësitë e ndihmësve të tij “janë reflektim i faktit që Navalny nuk është më”, ka thënë Noble për Radion Evropa e Lirë.

“Navalny është njohur për karizmin e tij, për elokuencën, për trimërinë dhe shumë cilësi tjera”.

“Dhe ndonëse Yulia Navalnya është zotuar se do ta vazhdojë punën e burrit, ne nuk e kemi parë as atë, as askënd tjetër, që të rritet për t’u bërë figurë kryesore”, ka thënë ai.

“Ndoshta këto dyshime e reflektojmë faktin që nuk ekziston më një figurë kyçe që mund t’i çojë gjërat përpara”.

Megjithatë, sipas tij, është shumë herët për të eliminuar nga skena “ekipin Navalny”.

Sa i përket trashëgimisë së Navalnyt, Noble ka thënë se “do të jetë e përzier dhe do të jetë e polarizuar”.

Sikurse lideri i periudhës sovjetike, Mikhail Gorbachev, figura e Navalnyt duartrokitet dhe pëlqehet nga Perëndimi, pasi konsiderohet “kampion i lirisë dhe kundërshtar i madh i Putinit”, ka thënë Noble.

“Brenda Rusisë, figura e tij është krejt ndryshe, dhe nuk është aspak befasi, duke marrë parasysh se çfarë kanë thënë mediat shtetërore për Navalnyn ndër vite, duke tentuar ta paraqesin atë si person të përkrahur nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e Shteteve të Bashkura”.

Për aq kohë sa Putini është në pushtet, “kjo situatë nuk pritet të ndryshojë, dhe vetëm mund të bëhet më keq”, ka thënë ai.

“Njerëzit në Rusi do të nisin të harrojnë kush ka qenë Navalny dhe çfarë ka bërë... prandaj mendoj që mund të shohim rritje të polarizimit të të dyja trashëgimive”./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat