Me fillimin e dimrit të ashpër në Ukrainë, organizata e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF dhe agjencitë e tjera të ndihmave po ndihmojnë komunitetet në rajonin lindor të Ukrainës, që të përgatiten për stinën e ftohtë. Shumë banorë vendas kanë humbur vendet e tyre të punës dhe të ardhurat e qëndrueshme për shkak të luftës dhe nuk kanë mundësi të paguajnë për ngrohje. Korrespondentja Anna Kosstutschenko e Zërit të Amerikës na sjell nga Kharkivi rrëfimin e familjes Malakey, që ka dy fëmijë me nevoja të veçanta.
“Më duhen dy kova me dru për të ngrohur shtëpinë. E ndez sobën në mëngjes dhe zgjat deri në mbrëmje”.
Në shtëpinë e Iryna Malakeyt, kjo sobë e vogël është i vetmi burim i ngrohjes. Për ta mbajtur ndezur, ajo duhet të mbushet vazhdimisht me dru.
Iryna jeton me bashkëshortin e saj dhe tre fëmijët në qytetin Derhachi, në pjesën lindore të Ukrainës, në rajonin e Kharkivit, të dëmtuar rëndë nga lufta.
Vajza e saj 8 vjeçare Anzhelika ka zhvillim të vonuar. Djali i saj 13 vjeçar Sviatoslav u diagnostikua me diabet në verën e vitit 2023.
“Për shkak të luftës, ilaçet po shpenzohen ose kemi vështirësi t’i gjejmë ato. Këtë verë, u detyruam të shkojmë në Kurpiansk për të gjetur ilaçet ngaqë nuk kishte askund tjetër nëpër Ukrainë,” thotë Iryna.
Bashkëshorti i saj punon për të mbajtur tërë familjen. Ai instalon pllaka dhe angazhohet sa herë që gjen punë, ndërsa ajo, rrobaqepëse me profesion, po përpiqet të gjejë punë.
“Punoj nga shtëpia sa herë që mundem, por nuk ka shumë porosi. Kur njerëzit e kuptojnë që jetoj në Derhachi, frikësohen. Më thonë, ‘me gjithë ato bombardime që ndodhin atje, nuk mund të rrezikojmë të vijmë deri atje’”.
Në vitin 2023, organizata e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF, i dha ndihmë financiare dhe paketa higjienike kësaj familjeje. Këtë vit, kjo organizatë po ndihmon me përgatitjet për dimrin në rajonin e Kharkivit, thotë Pavlo Pershyn, oficer i emergjencave pranë UNICEF-it.
“Fillimisht planifikojmë t’u japim asistencë familjeve me fëmijë që banojnë në një perimetër deri në 30 kilometra. Megjithatë, për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë, shumica e familjeve me fëmijë që jetojnë në disa zona specifike, siç janë Kupenska dhe Borivska, u detyruan të evakuohen”, thotë ai.
Punonjësit e fondacionit bamirës ‘Parajsa e Qetë e Kharkivit” ka ndihmuar në shpërndarjen e pakove me qymyr tek këto komunitete përkundër rrezikut të vazhdueshëm nga bombardimet, thotë menaxheri Volodymyr Akshentsev.
“Ka patur raste kur, fatkeqësisht, punonjësit tanë janë goditur. Jemi detyruar t’i kushtojmë më shumë vëmendje sigurisë. Ndonjëherë e bëjmë planin, e gjejmë rrugën, por duhet ta anulojmë për shkaqe sigurie”, thotë ai.
Sipas zotit Akshentsev, së fundmi punonjësit e ndihmave në rajonin e Kharkivit u vranë nga një dron rus.
“U sulmuan nga një dron. Ata ishin me një makinë të bardhë me shenja të qarta se bëhej fjalë për ndihmat humanitare. Ishte e pamundur të mos dallohej që nuk ishte automjet ushtarak”, thotë ai.
Përkundër rreziqeve të përditshme, organizata “Parajsa e Qetë” vazhdon të bëjë shpërndarjen e qymyrit, ndërkohë që ndihmat e UNICEF-it për dimër mbulojnë 16,000 familje në rajonin e Kharkivit, prej të cilave 9 mijë po marrin asistencë financiare dhe rreth 3 mijë të tjera tashmë morën qymyr për ngrohje gjatë këtij dimri.