Kryetari i Këshillit euroatlantik të Serbisë Dragan Shormaz ka reaguar pas njoftimit për vizitën e shefit të diplomacisë Marko Gjuriq në Rusi.
Shormaz në një postim në rrjetin X ka pyetur shefen e diplomacisë evropiane Kaja Kallas dhe shefin e diplomacisë holandeze Caspar Veldkamp nëse Serbia është kandidate e vërtetë për anëtarësim në Bashkimin Evropian kur ajo vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me Rusinë e Vladimir Putin.
“Ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriq dy ditët e ardhshme do të qëndrojë në Moskë. Kaq shumë për kapitullin 31! Korrupsion, errësirë mediatike, krim, drejtësi e kontrolluar... pushteti absolut në duart e një njeriu! Kandidat në BE?!”, ka shkruar Shormaz.
Gjuriq, më 17-18 shkurt do të zhvillojë vizitë në Moskë, ku do të takohet me homologun rus Sergei Lavrov, zëvendëskryetarin e Këshillit të Federatës së Asamblesë Federale të Rusisë Konstantin Iosifovich Kosachov dhe zëvendëskryetarin e Dumës Shtetërore të Asamblesë Federale të Rusisë, Pyotr Tolstoy.
Serbia është ndër nga vendet e pakta evropiane që mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë, pasi Kremlini filloi një pushtim të Ukrainës fqinje pothuajse tre vjet më parë.
Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian, anëtarësimin e të cilit Serbia aspiron, Beogradi zyrtar refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS) është vendosur në listën e sanksioneve amerikane për shkak të aksioneve të saj pronësore në kompaninë ruse Gazprom Neft. Kompania u sanksionua për shkak të të ashtuquajturit "rreziku dytësor" - për shkak të lidhjes së saj me Gazprom Neft.
Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në mars 2012. Negociatat e anëtarësimit filluan në janar 2014. Deri më tani janë hapur 22 kapituj.
Kërkesa e Hungarisë muajin nëntor 2024 për të çuar bisedimet e pranimit me Serbinë në fazën tjetër u refuzua nga një grup i konsiderueshëm i vendeve të BE-së, duke e bërë të pamundur sigurimin e unanimitet të nevojshëm.
Kroacia, Estonia, Finlanda, Gjermania, Letonia, Lituania, Holanda dhe Suedia ishin në mesin e atyre që e kundërshtuan masën, duke vënë gishtin te historia e paqartë e Beogradit për të drejtat themelore, marrëdhëniet e tensionuara me Kosovën dhe refuzimin e vazhdueshëm për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Propozimi i paraqitur nga Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së kishte për qëllim ta afronte Serbinë me hapjen e grupit 3 të procesit të anëtarësimit, i cili mbulon tetë kapituj individualë që lidhen me konkurrencën dhe rritjen ekonomike, si taksat, politika monetare, punësimi, bashkimi doganor dhe kërkimi shkencor.
Serbia kishte zhbllokuar më parë pesë nga këta tetë kapituj, por Brukseli ndryshoi rregullat në vitin 2020 për të krijuar grupimet tematike, të cilat tani duhet të hapen në tërësi pas përmbushjes së një sërë standardesh paraprake.
Sipas Komisionit Evropian, Serbia ka përmbushur standardet dhe është "teknikisht e gatshme" për të filluar bisedimet nën grupin 3, duke e lënë vendimin përfundimtar në duart e vendeve anëtare, të cilat duhet të marrin dritën jeshile në çdo hap të procesit me unanimitet.
Konsensusi dështoi të materializohej pasi Hungaria, një mbështetëse e vendosur e integrimit evropian të Serbisë, paraqiti propozimin për grupin 3. Grupi opozitar pranoi përparimin e bërë nga Serbia në ofertën e saj për anëtarësim, por këmbënguli se "kërkohen rezultate konkrete" përpara se të ecë përpara.
Një pikë kryesore shqetësuese rreth tryezës ishte mungesa e dukshme e përafrimit të Beogradit me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht kur bëhet fjalë për sanksionet e shumta që blloku ka vendosur ndaj Rusisë për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk ka "turp" që mban "lidhje tradicionalisht shumë të mira" me Moskën dhe refuzon të ndjekë kufizimet perëndimore.
“Askush në Evropë nuk është dakord me mua për këtë çështje, por të gjithë në Evropë e kuptojnë qëndrimin tim”, tha Vuçiq në shtator.
Beogradi është gjithashtu nën vëzhgim për marrëveshjen e tij të tregtisë së lirë me Kinën, e cila hyri në fuqi më 1 korrik dhe hoqi menjëherë 60% të tarifave midis dy palëve.
Serbia "ka mbajtur marrëdhënie të nivelit të lartë me Federatën Ruse dhe ka intensifikuar marrëdhëniet e saj me Kinën, duke ngritur pikëpyetje rreth drejtimit strategjik të Serbisë", shkruante Komisioni në raportin e zgjerimit të lëshuar në tetor 2024.
Politika e Vuçiq i ngjan asaj të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i cili ka thyer radhët me kolegët e tij të BE-së për të nxitur marrëdhënie të mira me Vladimir Putin dhe Xi Jinping..
While he complains to you about how Russia is organizing protests against him, @avucic is arranging cooperation in the field of energy with Rosatom! @kajakallas @EmmanuelMacron @CasparVeldkamphttps://t.co/Q9pgPESO0A
— Dragan Šormaz (@dragansormaz) February 16, 2025