Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Princin e Arabisë Saudite Mohammed bin Salman për situatën në Lindjen e Mesme dhe rolin e Riadit zyrtar në nxitjen e një paqeje të qëndrueshme për Ukrainën.
Macron tha se kanë diskutuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së armëpushimit në Liban, duke përfshirë një tërheqje të plotë të Izraelit.
“Ne ndoqëm gjithashtu Konferencën e Parisit për Sirinë, një moment i rëndësishëm shprese dhe angazhimi, gjatë së cilës riafirmuam mbështetjen dhe pritjet tona për autoritetet në tranzicion dhe popullin sirian”, ka shkruar ai në rrjetin X.
Macron tha se kanë diskutuar edhe për luftën ruse në Ukrainë dhe rolin që Arabia Saudite mund të luajë në promovimin e një paqeje solide dhe të qëndrueshme, me evropianët në qendër të këtij procesi.
Kujtojmë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai kurrë nuk do të pranonte një marrëveshje paqeje midis SHBA-së dhe Rusisë që do të negociohej pa pjesëmarrjen e Ukrainës.
Megjithatë, ai e paralajmëroi Trump se në bisedimet me Putin ai duhet t'i qëndrojë gjithmonë besnik Ukrainës.
Zelensky shtoi se fjalët e Putin për një armëpushim nuk duhet besuar kurrë, duke kujtuar bisedimet e dështuara të paqes me Rusinë në vitin 2019.
Megjithatë, ai pranoi se një marrëveshje diplomatike mund të konsiderohet nëse kjo nënkupton anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Një burim i lartë i qeverisë ukrainase tha më herët për BBC se Ukraina nuk kishte marrë një ftesë dhe nuk do të dërgonte një ekip në bisedime. Kjo bie ndesh me një deklaratë të mëparshme të emisarit special të SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, i cili deklaroi se Kievi do të vazhdojë të marrë pjesë në negociata.
Duket se kjo nuk do të ndodhë në këtë fazë të hershme.