Në prag të nisjes së bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite, Moska e ka liruar amerikanin Kalob Wayne Byers, i cili ka qenë në mbajtje prej 7 shkurtit, me akuza për posedim droge, sipas raportimeve të mediave amerikane dhe ruse.
Lajmi vjen pas një serie këmbimesh të të burgosurve mes dy vendeve në javët e fundit.
Vendimi i fundit duket se është një tjetër hap drejt uljes së tensioneve mes SHBA-së dhe Rusisë, para nisjes së bisedimeve në Riad të Arabisë Saudite, teksa Uashingtoni rrit përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
E përditshmja amerikane The New York Times e ka cituar një zyrtar të Kremlinit të ketë thënë se bisedimet e së martës synojnë t'i përmirësojnë marrëdhëniet bilaterale.
Agjencia e lajmeve Associated Press i ka cituar përfaqësuesit e Byersit të kenë thënë se burri është në Ambasadën amerikane dhe po pret fluturimin për t’u kthyer në shtëpi.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë vetëm për lirim dhe jo këmbim të të burgosurve.
Një gjykatë ruse pati marrë vendim që Byers, 28-vjeçar, të mbahet në paraburgim pas arrestimit në aeroportin e Moskës nën akuzat për kontrabandim droge, meqë doganierët dyshohet se i kanë gjetur në valixhe një lloj reçeli të përzier me kanabis.
Një postimin e një gjykate në Telegram ishte thënë se ai përballet me dënim prej shtatë vjetësh burgim.
Arrestimi i tij është kryer vetëm disa ditë pas këmbimit të të burgosurve mes SHBA-së dhe Rusisë, akt të cilin Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar si hap drejt zbutjes së marrëdhënieve diplomatike dhe hap drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara dhe qeveri tjera perëndimore e kanë akuzuar Qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin për arrestim të qytetarëve të shteteve perëndimore mbi akuza të fabrikuara apo të ekzagjeruara, dhe se i mban si “pengje” që të mund t’i tregtojë më pas me Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera./REL