BE-ja i kërkon Serbisë të mos i forcojë lidhjet me Rusinë

Evropë

BE-ja i kërkon Serbisë të mos i forcojë lidhjet me Rusinë

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 10:10
Flamuri i Bashkimit Evropian pranë atij të Serbisë.

Bashkimi Evropian e ka përsëritur thirrjen ndaj Serbisë – si vend kandidat për anëtarësim – që të përshtatë qëndrimin e saj në politikë të jashtme me atë të BE- së, dhe t’i evitojë hapat që janë në kundërshtim me këto qëndrime.

Sipas diplomatëve të BE-së, kjo kërkesë vlen sidomos në qëndrimet ndaj Rusisë, ndaj të cilës BE-ja vazhdojë të vendosë sanksione për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, ndërkohë që Serbia vazhdon të kultivojë raporte miqësore me Rusinë.

Një zëdhënës i BE-së, duke iu referuar vizitës së fundit të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq në Moskë, dhe takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, ka thënë se BE-ja ka marrë hapa për të izoluar Rusinë, i ka ulur në minimum kontaktet, dhe po përgatit edhe një paketë të re sanksionesh, andaj pret që Serbia si vend kandidat të mos ndërmarrë hapa kundër kësaj politike të Bashkimit Evropian.

“Serbia, si vend kandidat, duhet t’i shtojë përpjekjet për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së si çështje me shumë prioritet. Prandaj duhet të përmbahet nga veprimet apo deklaratat të cilat shkojnë kundër qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme“, ka thënë një zëdhënës i BE-së.

Ndërkohë, diplomatë nga disa vende anëtare kanë thënë se, krahas mungesës së progresit në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën, çështjeve të sundimit të ligjit, edhe bashkëpunimi i ngushtë i Serbisë me Rusinë ka ndikim që të mos hapen disa kapituj negociues në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, edhe pse Serbia sipas Komisionit Evropian i ka përmbushur kushtet teknike për këtë./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat