Serbia tashmë edhe zyrtarisht ia ka shtrirë dorën e kërkesës për ndihmë nga Rusia rreth protestave studentore që po mbahen në Serbi tash e sa muaj.
Këtë e ka bërë dje ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq derisa sot një gjë të tillë e ka bërë edhe zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin.
Ky i fundit u takua me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Sergei Shoigu.
Që të dy raportohet se ranë dakord për intensifikimin e dialogut ndërinstitucional për t'iu kundërvënë "revolucioneve me ngjyra", duke iu referuar kështu protestave studentore kundër regjimit në Serbi.
Vulin dhe Shoigu u takuan në Moskë dhe siç thuhet në deklaratën e qeverisë së Serbisë, takimi konfirmoi "një refuzim kategorik të ndërhyrjes së jashtme në punët e brendshme të shteteve sovrane", shkruajnë mediat serbe, transmeton KosovaPress.
“Pala ruse shprehu gatishmërinë e saj për të vazhduar mbështetjen për popullin vëllazëror të Serbisë në ruajtjen e stabilitetit. Palët ranë dakord të intensifikojnë dialogun ndërinstitucional për të kundërshtuar 'revolucionet me ngjyra'", shtohet deklarata.
Por çka do të thotë termi ‘ndërhyrje e jashtme’ që u përmend nga Vulini dhe Shoigu?
Gjatë ditës së djeshme kur ndodhi takimi mes ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq dhe atij rus, Sergei Lavrov, në mediat serbe u zbulua një detaj. Takimi ndodhi pas një deklarate që Gjuriq e dha në Mynih para ndërkombëtarëve, duke i lidhur protestat në Serbi me shërbimet sekrete ruse.
Burimet e N1 raportuan se protestat e studentëve po i paraqiten Perëndimit si rezultat i ndërhyrjes ruse dhe Moskës si një revolucion me ngjyra i orkestruar nga Perëndimi.
Ndërsa në Moskë flitet për përpjekjet e Perëndimit për të destabilizuar Serbinë, në Mynih.
Përkatësisht, nënkryetari i Unionit Studentor Serb, Borko Stefanoviq, thotë se ka informacione të besueshme se ka qenë Gjuriqi ai që në takime zyrtare në Mynih i ka akuzuar studentët si spiunë rusë dhe ka thënë se kryengritja e popullit në Serbi është organizuar nga shërbimi sekret rus.