Grupi joformal i studentëve “Kamo Sjutra” (“Kah nesër”) njoftoi të martën se do të ngrejë padi për shpifje kundër Partisë Demokratike të Malit të Zi dhe zyrtarëve të saj në qeveri.
Sipas këtij grupi, zyrtarët qeveritarë nga kjo parti kanë bërë “akuza të pavërteta për lidhje të organizatorëve të protestës studentore me klane kriminale dhe për korrupsion”, duke rrezikuar, sipas tyre drejtpërdrejt këtë grup.
“Zyrtarët publikë, anëtarët e qeverisë apo aktorët politikë nuk kanë treguar përgjegjësi për fjalët e thëna publikisht... dhe asnjëherë nuk kanë dhënë prova për pretendimet e tyre, edhe pse një gjë e tillë u është kërkuar në disa raste”, thuhet në reagimin e studentëve.
Ata akuzuan Ministrin e Brendshëm, Danilo Sharanoviç për komentet e bëra në shtyp kur u shpreh se “ka të dhëna operacionale për një vlerësim të tillë”, ndonëse sipas studentëve, ai nuk ka dhënë asnjë provë për to.
Sipas grupit studentor, akuzat nga zyrtarët politikë ndaj organizatorëve kanë nxitur gjuhën e urrejtjes, kërcënimet dhe fyerjet në rrjetet sociale ndaj tyre.
“Ndjejmë keqardhje të thellë që studentët janë një objektiv i lehtë për politikanët dhe në këtë mënyrë ata demonstrojnë qëndrimin e tyre ndaj parimeve demokratike – lirisë së mendimit dhe fjalës”, thuhet në reagimin e grupit “Kamo Sjutra”.
Protestat e përditshme kanë vazhduar me bllokimin e rrugëve në Podgoricë dhe qytete tjera që nga fillimi i vitit. Studentët po kërkojnë dorëheqjen e drejtuesve të sektorit të sigurisë për masakrën në Cetinë, në të cilën u vranë 13 persona dhe u plagosën tre të tjerë. Kërkesat e tjera kanë të bëjnë me çmilitarizimin e shoqërisë dhe konfiskimin e armëve, së bashku me rishikimin e të gjitha lejeve të dhëna në periudhën e kaluar, ngritjen e policisë së lagjeve, rikthimin e edukimit qytetar si lëndë e detyrueshme në shkollat fillore dhe të mesme, shpalljen e moratoriumit për dhënien e lejeve të reja të armëve deri në ndryshimi i ligjit.
Protestat e studentëve po gjejnë mbështetje edhe tek publiku në Mali të Zi, ku shumë banorë shprehen të zemëruar me ato që i konsiderojnë reforma të ngadalshme të policisë, e cila ka mungesë punonjësish dhe fondesh dhe grindjeve burokratike dhe politike brenda qeverisë.
Së fundmi, mbi 100 profesorë të universitetit dhe asistentë, artistë dhe intelektualë të njohur dërguan një letër në mbështetjeje për kërkesat e studentëve për të përcaktuar përgjegjësinë për incidentet në Cetinë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë po ashtu ka "mbështetur fuqimisht të drejtën për tubime paqësore, jo të dhunshme dhe lirinë e shprehjes si vlera themelore të një shoqërie demokratike".