​Zelensky thirrje për mbështetje nga Trump, kritikon përjashtimin nga bisedimet SHBA-Rusi

Evropë

​Zelensky thirrje për mbështetje nga Trump, kritikon përjashtimin nga bisedimet SHBA-Rusi

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 09:28
Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu dëshirën e tij për mbështetje më të fortë nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa kritikoi përjashtimin e Kievit nga negociatat për t’i dhënë fund luftës së vendit të tij me Rusinë.

Duke folur para një grupi gazetarësh në Aeroportin Esenboga të Ankarasë pas takimit të tij me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, ai tha: "Do të doja që Trump të ishte më shumë në anën tonë. Shumë nga republikanët dhe demokratët na mbështesin. Unë nuk dua ta humbas këtë mbështetje", raporton Anadolu.

"Ne vërejmë se ata po e nxjerrin Putinin nga izolimi politik, por është vendimi i tyre. Ata janë duke negociuar", shtoi ai.

Komentet e Zelenskyt erdhën pasi SHBA-ja dhe Rusia zhvilluan bisedime në kryeqytetin saudit Riad, duke shënuar takimin e parë të drejtpërdrejtë midis diplomatëve amerikanë dhe rusë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.

Zelensky kritikoi gjithashtu përjashtimin e Ukrainës nga negociatat për t’i dhënë fund luftës, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e çdo bisedimi të zhvilluar pa pjesëmarrjen e Kievit.

"Kur thonë ‘këto janë planet tona për përfundimin e luftës’, kjo ngre pikëpyetje për ne. Ku jemi ne? Ku jemi në këtë tryezë të bisedimeve? Kjo luftë po zhvillohet brenda Ukrainës. Putini po vret ukrainasit, jo amerikanët. As evropianët. Ukrainasit po vdesin", tha ai.

"Ne duam një paqe të drejtë, paqe të vazhdueshme, paqe të qëndrueshme", shtoi ai.

"Një nga gjërat më të rëndësishme në gjithë këtë është se ne duhet të ecim përpara me njerëzit, me vendet që mund të na japin vërtet garanci sigurie. Nëse ky nuk është fundi i luftës, por një armëpushim, atëherë sigurisht që është një hap i rëndësishëm drejt përfundimit të fazës së nxehtë të luftës", tha ai.

Zelensky theksoi se Ukraina dhe Rusia duhet të jenë në tryezë për bisedimet e paqes dhe se jo vetëm Bashkimi Evropian, por i gjithë kontinenti evropian duhet të përfaqësohet.

Ai tha gjithashtu se ka diskutuar për përfaqësimin evropian në bisedimet me presidentin francez Emmanuel Macron, duke përmendur se Macron ka folur me liderët e BE-së në Francë dhe se janë planifikuar bisedime të mëtejshme.

Gjatë vizitës së tij në Turqi, Zelensky u takua me presidentin Erdogan, duke falënderuar Ankaranë për mikpritjen dhe mbështetjen për Ukrainën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat