Gjendja e Papa Françeskut, i cili ndodhet në spital me pneumoni në të dyja anët e mushkërive, po përmirësohet lehtë, ai nuk ka temperaturë dhe analizat e gjakut janë të qëndrueshme, njoftoi sot Selia e Shenjtë.
Papa Françesku (88) po trajtohet në spitalin Gemelli në Romë, ku u shtrua të premten, më 14 shkurt, pasi kishte disa ditë vështirësi në frymëmarrje.
Të gjitha angazhimet publike të Papës janë anuluar deri të dielën. Përpara spitalit, njerëzit lanë lule dhe mesazhe personale nën statujën e Gjon Palit II, duke i uruar Françeskut shërim të shpejtë.
Vatikani vazhdon punën e tij edhe kur Papa ndodhet në spital. Një zyrtar i lartë, kardinali Michael Czerny, u nis dje për vizitë pesë-ditore në Liban.