Nenad Çanak analizon situatën në Serbi: Tubimi i 9 marsit, vendimtar për...

Evropë

Nenad Çanak analizon situatën në Serbi: Tubimi i 9 marsit, vendimtar për...

Më: 22 shkurt 2025 Në ora: 14:35
Nenad Çanak

I ftuar në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania, politikani Nenad Çanak ka folur mbi situatën aktuale në Serbi dhe protestat e studentëve që po zhvillohen atje.

Sipas Çanak, presidenti serb Aleksandar Vuçiç po i reziston protestave, pjesërisht edhe për shkak të qasjes së opozitës, e cila, sipas tij, nuk ofron alternativa të ndryshme nga regjimi.

“Problemi kryesor i opozitës këtu është se opozita kryesisht ka të njëjtën politikë si regjimi. Që nga normalizimi i marrëdhënieve me Bosnjen, Kroacinë, Kosovën dhe Malin e Zi, deri tek refuzimi i Vuçiç për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, opozita ka të njëjtat qëndrime si pushteti. Për rrjedhojë, në thelb, opozita nuk është në pushtet, jo sepse ofron diçka ndryshe, por sepse shumë prej liderëve të saj kanë qenë pjesë e pushtetit para ardhjes së Vuçiç. Ajo që do të ndodhë do të qartësohet pas 17 ditësh, pasi më 1 mars do të zhvillohet një tubim në Nish dhe më 9 mars tubimi final në Beograd. Pas këtyre ngjarjeve, do të kuptojmë nëse ky rebelim do të sjellë ndryshime apo do të shuhet,” tha ai.

Ai theksoi gjithashtu se studentët po e marrin si të mirëqenë propagandën e qeverisë mbi opozitën dhe shprehu pesimizmin e tij për ecurinë e protestave.

“Protestuesit duan fytyra të reja, ndërsa regjimi, me propagandën e tij, i akuzon kundërshtarët se duan vetëm pushtetin.Studentët kanë kerkesa politike, por nuk kanë përfaqësues politikë. Pa një përfaqësim politik, protestat mund të humbasin fuqinë e tyre. Aktualisht, regjimi po përpiqet të gjejë një zgjidhje duke arrestuar zyrtarë të nivelit të ulët, por pa prekur korrupsionin në nivele të larta” theksoi ai.

Ndër të tjera, Çanak deklaroi se shërbimet sekrete serbe po monitorojnë nga afër protestat dhe pjesëmarrësit e tyre.

“Shërbimet sekrete po bëjnë detyrën e tyre, që në këtë rast do të thotë se janë urdhëruar të përgjojnë liderët e opozitës dhe protestuesit. Telefoni im përgjohet, dhe e di këtë nga disa burime të besueshme. Aktualisht, nuk ka urdhër për të krijuar probleme, ndaj policia nuk do të sulmojë protestuesit vendas, por janë sjellë forca policore nga zona të tjera të Serbisë,” u shpreh ai.

Sipas tij, protestat janë rezultat i viteve të gjata të frustrimit që janë akumuluar në shoqërinë serbe.

“Kjo është një shpërthim i frustrimit që ka akumuluar Serbia në 12-13 vitet e fundit. Njerëzit janë të lodhur nga presioni i regjimit, nga kujtimet e luftërave të viteve ’90, dhe nga situata e vështirë ekonomike. Pushteti ushtron një presion të heshtur që ka shperthyer tani me protestat e studentëve. Ata veprojnë në mënyrë inteligjente dhe nuk kërkojnë diçka të pamundur; ata kërkojnë transparencë dhe ndjekje ligjore të abuzuesve të pushtetit. Megjithatë, regjimi e di se përmbushja e këtyre kërkesave mund të ekspozojë korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes,” përfundoi ai.

Protestat vazhdojnë të mbeten një sfidë për qeverinë serbe, ndërsa pritet me interes zhvillimi i ngjarjeve në javët e ardhshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat