Ushtria turke mund të luajë rol kyç në sigurinë e Evropës

Evropë

Ushtria turke mund të luajë rol kyç në sigurinë e Evropës

Më: 22 shkurt 2025 Në ora: 18:02
Ushtria turke

Ndërsa udhëheqësit evropianë po përpiqen të forcojnë ushtritë e tyre mes rritjes së pikëpyetjeve mbi angazhimin amerikan për mbrojtjen e Evropës, Turqia, e cila krenohet si vendi me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, mund të ketë një rol kyç në planet e Evropës, veçanërisht sa i përket operacioneve paqeruajtëse në Ukrainë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones përgatiti këtë material nga Stambolli.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shfrytëzoi vizitën e tij të martën në Turqi për të theksuar rëndësinë që ka dërgimi i trupave nga vendet aleate për të garantuar çdo marrëveshje paqeje të arritur me Rusinë.

“Dy çështje janë shumë të rëndësishme: një ushtri e fortë ukrainase dhe dislokimet në Ukrainë të ushtrive nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, partnerëve tanë”, tha ai.

Zoti Zelenskyy tha se diskutoi këtë çështje me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, por se është shumë herët për të zbuluar përfundimet e bisedimeve.

Ndërsa zoti Erdogan ka lidhje të ngushta me zotin Zelensky, udhëheqësi turk ka ruajtur marrëdhënie të mira edhe me Presidentin rus Vladimir Putin. Megjithatë, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, Turqia është në pozitë të përshtatshme për ta mbështetur Ukrainën.

“Nëse palët bien dakord, Turqia mund të dërgojë trupat tona në operacione paqeruajtëse. Pse e them këtë? Turqia ishte pjesë e shumë operacioneve paqeruajtësve të OKB-së dhe ushtria turke është shumë e fuqishme”, thotë këshilltari i presidentit të Turqisë, Mesut Casin.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov përjashtoi çdo mundësi për dërgimin e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Ukrainë.

Por rëndësia e ushtrisë turke për sigurinë evropiane mund të rritet, me Shtetet e Bashkuara që kërkojnë nga Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

“Mendojmë se kjo është një pjesë e rëndësishme e të qenit së bashku në një aleancë bashkëpunimi, që evropianët të rrisin angazhimin ndërsa Amerika përqëndrohet në zona të botës që janë në rrezik të madh”, tha Nënpresidenti amerikan JD Vance.

Të dhënat jo të mira mbi të drejtat e njeriut kanë tensionuar marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian. Por sipas analistëve, shqetësimet e përbashkëta mbi Rusinë po krijojnë mundësi bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

“Turqia dhe vendet evropiane kanë të njëjtat interesa gjeostrategjike. Nëse pyesni udhëheqësit politikë të Turqisë, për ta, kërcënimi kryesor për sigurinë, stabilitetin dhe integritetin e vendit mbetet Rusia”, thotë Federico Donelli nga Universiteti i Triestes.

Udhëheqësit evropianë u takuan këtë javë për të diskutuar mbi kërcënimin e sigurisë me të cilin përballet kontinenti.

Me një ushtri masive krahasuar me çdo ushtri evropiane, Ankaraja thotë se mund të luajë rol kyç në mbrojtjen e Evropës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat