Scholz pranon humbjen, Merz kërkon koalicion
CDU/CSU është fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani dhe partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është forca e dytë politike, sipas exit poll-eve të para.
CDU/CSU fitoi 29 për qind të votave, AfD 19.5 për qind, Partia Socialdemokrate (SPD) 16 për qind, që është rezultati më i dobët i kësaj partie në historinë e saj të pasluftës.
Partia e Gjelbërve renditet e katërta me 13.5 për qind dhe partia e Majtë me 8.5 për qind.
Partia Liberal Demokratike (FDP) dhe Aleanca populiste e krahut të majtë Sahra Wagenknecht, me përkatësisht 4.9 dhe 4.7 për qind, nuk arritën të kalojnë pragun zgjedhor.
Në zgjedhje morën pjesë 84 për qind e votuesve me të drejtë vote, që është shifra më e lartë që nga bashkimi i Gjermanisë.
CDU/CSU ka nevojë për të paktën një partner koalicioni për të formuar qeverinë dhe Friedrich Merz, lideri i CDU, tha se kjo është e nevojshme të bëhet sa më shpejt.
"Bota e jashtme nuk do të na presë. Tani do të flasim me njëri-tjetrin dhe duhet të formojmë një qeveri të qëndrueshme në Gjermani sa më shpejt të jetë e mundur – një qeveri që mund të veprojë në bazë të shumicës”, tha ai duke iu drejtuar mbështetësve në Berlin pas publikimit të sondazheve të daljes.
Kancelari në largim Olaf Scholz pranoi humbjen duke thënë se ky është një rezultat i hidhur zgjedhor për Partinë Socialdemokrate dhe në të njëjtën kohë një humbje zgjedhore.
“Mendoj se mund të jemi krenarë për faktin se kemi punuar kaq ngushtë së bashku në kohë të vështira”, tha ai.
Për shkak të sistemit kompleks zgjedhor të Gjermanisë, partitë më të vogla mund të luajnë një rol kyç në formimin e qeverisë së ardhshme të koalicionit.
Partitë duhet të kalojnë pragun 5% për të hyrë në parlament – dhe partitë më të mëdha do të vëzhgojnë nga afër se sa parti më të vogla arrijnë ta kalojnë. Kjo pasi, sipas sistemit zgjedhor, sa më shumë parti të hyjnë në parlament, aq më e vogël është pjesa e mandateve që mund të fitojnë partitë më të mëdha.
Me fjalë të tjera, sa më shumë parti të hyjnë në parlament, aq më të mëdha janë gjasat që partia më e madhe do të duhet të kërkojë dy, në vend të një, partnerë koalicioni dhe kjo mund të ndikojë se sa e vështirë do të jetë krijimi i koalicionit të ardhshëm.
Merz mund t'i duhen shumë javë për të rënë dakord për një qeveri koalicioni, duke çuar në paralizë edhe më të madhe politike në Berlin gjatë një periudhe kaq të tensionuar.
Kriza politike në Gjermani u shkaktua kur koalicioni i Scholz u shemb më 6 nëntor, një ditë pasi Trump u zgjodh president në SHBA. SPD e Scholz, të Gjelbrit dhe FDP liberale kanë debatuar prej kohësh për financat.
Vlerësimet historikisht të ulëta të sondazheve të SPD-së sugjerojnë se Scholz ka paguar çmimin për politika të tilla dhe performancën e dobët ekonomike të Gjermanisë në një kohë kur lufta në Ukrainë ka rritur çmimet e energjisë.