Scholz pranon humbjen, Merz kërkon koalicion

Evropë

Scholz pranon humbjen, Merz kërkon koalicion

Më: 23 shkurt 2025 Në ora: 16:52 Përditësuar në ora: 22:02 më 23.02.2025
Friedrich Merz falënderon përkrahësit për fitoren

Fitoi zgjedhjet, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë: Jam i sigurt se deri për Pashkë do ta kemi formuar qeverinë!

Friedrich Merz, i cili do të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, është pyetur sesa shpejt mendon se mund të krijojë një qeveri.

Merz thotë se do të jetë “e vështirë” të formohet një qeveri, por shton se kjo është diçka që “e dinim përpara zgjedhjeve”.

Kreu i CDU-CSU thotë se “ne duhet të përgatisim një afat kohor” që palët të bisedojnë me njëra-tjetrën. Jam i sigurt se do të kemi formuar një qeveri deri në Pashkë. Evropa pret që ne të kemi një qeveri të fortë shumë shpejt.”

Merz thotë se ai ende duhet të “punojë” se si të formojë qeverinë dhe në mënyrë ideale do të dëshirojë një partner koalicioni, jo dy.

Më pas ai përsërit se gjithmonë ka thënë se nuk do të hyjë në koalicion me AfD-në.

Scholz pranon humbjen, Merz kërkon koalicion

CDU/CSU është fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani dhe partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është forca e dytë politike, sipas exit poll-eve të para.

CDU/CSU fitoi 29 për qind të votave, AfD 19.5 për qind, Partia Socialdemokrate (SPD) 16 për qind, që është rezultati më i dobët i kësaj partie në historinë e saj të pasluftës.

Partia e Gjelbërve renditet e katërta me 13.5 për qind dhe partia e Majtë me 8.5 për qind.

Partia Liberal Demokratike (FDP) dhe Aleanca populiste e krahut të majtë Sahra Wagenknecht, me përkatësisht 4.9 dhe 4.7 për qind, nuk arritën të kalojnë pragun zgjedhor.

Në zgjedhje morën pjesë 84 për qind e votuesve me të drejtë vote, që është shifra më e lartë që nga bashkimi i Gjermanisë.

CDU/CSU ka nevojë për të paktën një partner koalicioni për të formuar qeverinë dhe Friedrich Merz, lideri i CDU, tha se kjo është e nevojshme të bëhet sa më shpejt.

"Bota e jashtme nuk do të na presë. Tani do të flasim me njëri-tjetrin dhe duhet të formojmë një qeveri të qëndrueshme në Gjermani sa më shpejt të jetë e mundur – një qeveri që mund të veprojë në bazë të shumicës”, tha ai duke iu drejtuar mbështetësve në Berlin pas publikimit të sondazheve të daljes.

Kancelari në largim Olaf Scholz pranoi humbjen duke thënë se ky është një rezultat i hidhur zgjedhor për Partinë Socialdemokrate dhe në të njëjtën kohë një humbje zgjedhore.

“Mendoj se mund të jemi krenarë për faktin se kemi punuar kaq ngushtë së bashku në kohë të vështira”, tha ai.

Për shkak të sistemit kompleks zgjedhor të Gjermanisë, partitë më të vogla mund të luajnë një rol kyç në formimin e qeverisë së ardhshme të koalicionit.

Partitë duhet të kalojnë pragun 5% për të hyrë në parlament – dhe partitë më të mëdha do të vëzhgojnë nga afër se sa parti më të vogla arrijnë ta kalojnë. Kjo pasi, sipas sistemit zgjedhor, sa më shumë parti të hyjnë në parlament, aq më e vogël është pjesa e mandateve që mund të fitojnë partitë më të mëdha.

Me fjalë të tjera, sa më shumë parti të hyjnë në parlament, aq më të mëdha janë gjasat që partia më e madhe do të duhet të kërkojë dy, në vend të një, partnerë koalicioni dhe kjo mund të ndikojë se sa e vështirë do të jetë krijimi i koalicionit të ardhshëm.

Merz mund t'i duhen shumë javë për të rënë dakord për një qeveri koalicioni, duke çuar në paralizë edhe më të madhe politike në Berlin gjatë një periudhe kaq të tensionuar.

Kriza politike në Gjermani u shkaktua kur koalicioni i Scholz u shemb më 6 nëntor, një ditë pasi Trump u zgjodh president në SHBA. SPD e Scholz, të Gjelbrit dhe FDP liberale kanë debatuar prej kohësh për financat.

Vlerësimet historikisht të ulëta të sondazheve të SPD-së sugjerojnë se Scholz ka paguar çmimin për politika të tilla dhe performancën e dobët ekonomike të Gjermanisë në një kohë kur lufta në Ukrainë ka rritur çmimet e energjisë.

Sondazhet: Konservatorët e Merzit fitojnë zgjedhjet në Gjermani, AfD-ja rritet bindshëm

Aleanca konservatore e Gjermanisë CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka fituar zgjedhjet e së dielës për Qeverinë e re federale, me 28.5 – 29 për qind të votave, sipas sondazheve të para televizive.

Partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) renditet e dyta me 19.5 – 20 për qind të votave, që do të thotë se e ka dyfishuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, bazuar në shifrat e publikuara nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF.

Rritja e AfD-së, parti kundër imigrimit, është rezultat i zemërimit publik rreth çështjeve të migrimit dhe sigurisë, pas një morie të sulmeve të kryera nga migrantët, dhe pas shqetësimeve për dobësim të ekonomisë.

Pavarësisht kësaj, AfD pritet të mbetet jashtë pushtetit, tani për tani, sepse të gjitha partitë tjera kanë refuzuar të bashkëpunojnë me të.

Nëse rezultatet e sondazheve do të vërtetohen, Merz duket se do të jetë kancelari i ri i Gjermanisë, vendit me ekonominë më të madhe në Evropë.

Mirëpo, për të siguruar shumicën në parlament, atij do t’i duhet të krijojë koalicion me të paktën një parti tjetër, me shumë mundësi me Socialdemokratët (SPD) e kancelarit në shkuarje, Olaf Scholz.

SPD duket se ka regjistruar atë që është rezultati më i dobët në Gjermaninë e pasluftës, me rreth 16 - 16.5 për qind.

Të Gjelbërit, një tjetër partnere e mundshme për CDU/CSU, duket se ka siguruar 12-13.5 për qind të votave.

Në këto zgjedhje kanë pasur të drejtë vote 59.2 milionë gjermanë.

Zgjedhjet janë mbajtur pas prishjes së koalicionit trepartiak të Scholzit, në fund të vitit të kaluar.

Votuesit vendosën: CDU/CSU dhe AfD para SPD dhe të Gjelbërve

Votuesit vendosën. Parashikimet fillestare për zgjedhjet federale 2025 bazuar në sondazhet paszgjedhore tregojnë se Gjermania gjendet para një ndryshimi të qeverisë.

Sipas parashikimit të institutit për demoskopinë Infratest-dimap, CDU/CSU pritet të fitojë 29 për qind të votave.

AfD-ja 19.5 për qind, kurse SPD dhe të Gjelbërit pritet të fitojnë përkatësisht 16.0 dhe 13.5 përqind të votave.

Sa u përket partive më të vogla, Partia E Majta ndoshta do ta kapërcejë pragun prej pesë për qind dhe do të hyjë në parlament.

Kurse për partinë liberale FDP me kandidatin kryesor Christian Lindner dhe Aleancën Sahra Wagenknecht (BSW) nuk është ende e sigurt nese do të arrijnë të  hyjnë në Bundestag, pra të kalojnë pragun prej pesë përqind.

Ky është parashikimi i parë për zgjedhjet parlamentare 2025 pas mbylljes së qendrave të votimeve:

REZULTATET LIVE

--------

Qendrat e votimit u hapën në gjithë Gjermaninë të dielën, për zgjedhjet ku qytetarët do të vendosin për qeverinë e re pas një fushate zgjedhore të mbizotëruar nga shqetësimet rreth ngadalësimit shumëvjeçar të ekonomisë më të madhe të Evropës, trysnisë për të frenuar emigracionin dhe pasigurisë në rritje për të ardhmen e Ukrainës dhe aleancën e Evropës me Shtetet e Bashkuara. Opozita e qendrës së djathtë pritet të fitojë, ndërsa sondazhet tregojnë rezultatin më të mirë për një parti të ekstremit të djathtë, si AfD-ja, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kancelari Olaf Scholz votoi në qytetin lindor të Potsdamit. Partia e tij e social-demokratëve (SPD) pritet të ketë rezultatin më të dobët, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Udhëheqësi i konservatorëve Friedrich Merz hodhi votën në qytetin perëndimor, Arnsberg. I pyetur se si do të shkojë dita e zgjedhjeve, ai buzëqeshi dhe u përgjigj se kishte besim në fitore.

“Unë mendoj se Friedrich Merz e kupton ekonominë. Dhe mendoj se ai do ta rindërtojë vendin tonë më mirë. Kemi humbur kaq shumë. Kjo është për të ardhur keq. Shumë kemi humbur dhe ne kemi një vend të bukur. Dhe këtu kemi shpresën tonë”, thotë një votuese.

“Nga këndvështrimi im, është e rëndësishme që të kthehet qetësia dhe të gjejmë një gjuhë me të gjitha palët dhe që Gjermania të rifitojë statusin që kishim dhe të kthehet siguria ”, thotë një tjetër votues.

CDU/CSU drejtuar nga zoti Merz ka udhëhequr vazhdimisht sondazhet, por nuk ka gjasa të fitojë një shumicë duke pasur parasysh peizazhin e fragmentuar politik të Gjermanisë, duke e detyruar atë të gjejë partnerë për koalicion.

Këto negociata pritet të jenë të ndërlikuara pas një fushate që ekspozoi ndasitë e mprehta mbi migracionin dhe mënyrën se si të trajtohet AfD-ja, në një vend ku tradicionalisht politika e ekstremit të djathtë ka mbartur një stigmë veçanërisht të fortë për shkak të së kaluarës naziste.

AfD-ja sipas analistëve është në rrugën e duhur për të zënë vendin e dytë për herë të parë në zgjedhjet kombëtare. Megjithatë, AfD-ja nuk ka gjasa të qeverisë tani për tani, sepse të gjitha partitë kryesore kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit, megjithëse disa analistë besojnë se kjo mund të hapë rrugën për një fitore në vitin 2029.

Një qeveri e përkohshme që do të shërbente për një periudhë disa mujore do të krijonte një vakuum në zemër të Evropës.

Gjermanët janë më pesimistë për standardet e tyre të jetesës tani se në çdo kohë që nga kriza financiare në 2008. Përqindja që thonë se situata e tyre po përmirësohet ra ndjeshëm nga 42% në 2023 në 27% vitin e kaluar, sipas sondazhit Gallup.

Qëndrimet ndaj migracionit kanë ndryshuar shumë, nga politikat e ndjekura më herët gjatë krizës së emigrantëve në Evropë në vitin 2015./Voa

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat