BE do të mbajë samit urgjent për Ukrainën

Evropë

BE do të mbajë samit urgjent për Ukrainën

Më: 23 shkurt 2025 Në ora: 19:38
Ilustrim

Bashkimi Evropian ka thirrur një samit të jashtëzakonshëm për Ukrainën dhe sigurinë evropiane për datën 6 mars.

Lajmi u bë sot i ditur nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa në një postim në rrjetin social X.

“Kam vendosur të mbledh një këshill të posaçëm evropian më 6 mars. Ne po jetojmë në një moment vendimtar për Ukrainën dhe sigurinë evropiane," ka shkruar ai, duke shtuar se në konsultimet e tij me liderët evropianë ai kishte dëgjuar një "angazhim të përbashkët" për t'u përballur me sfidat në nivel të BE-së.

Costa përmendi "forcimin e mbrojtjes evropiane dhe një kontribut vendimtar për paqen në Evropë dhe sigurinë afatgjatë të Ukrainës", teksa paralajmëroi vazhdimin e bashkëpunimit me kreun e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe të gjitha vendet anëtare për të qenë gati që të marrin vendime më 6 mars.

Kujtojmë, presidenti i SHBA-së Donald Trump filloi negociatat me Rusinë pa Ukrainën dhe Evropën, dhe e quajti liderin ukrainas "diktator", pasi Kievi nuk mbajti zgjedhje në vitin 2024, për shkak të agresionit ushtarak rus.

Volodymyr Zelensky njoftoi sot se është gati të largohet nga presidenca nëse kjo do të thotë paqe për Ukrainën, duke bërë shaka se largimin e tij mund ta shkëmbejë me hyrjen e vendit të tij në NATO.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat