Mbushen sot plot 3 vite që nga dita kur Rusia nisi luftën e saj në Ukrainë më 24 shkurt të 2022-shit.
E në një luftë të dominuar nga të papriturat, pakkush e imagjinonte se viti i tretë i luftës së Ukrainës do të vinte në dyshim sigurinë e të gjithë Evropës.
Kjo pasi shumë prej parimeve themelore janë shembur në këtë luftë. Statusi i superfuqisë ushtarake të Rusisë është dobësuar dhe rrethi i brendshëm i Kremlinit kapërceu një kryengritje. Dronët kanë ndryshuar përgjithmonë luftën dhe i kanë bërë magazinat e tankeve pothuajse të padobishme.
Në tre vitet që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë, Ukraina ka humbur kontrollin e rreth 11% të tokës së saj, duke arritur të rifitojë disa falë ndihmës ushtarake nga aleatët e saj perëndimorë. Mijëra persona kanë humbur jetën prej luftës, si dhe qindra mijëra të tjerë janë plagosur.
Rreth 8 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit dhe më shumë se 8.2 milionë janë larguar nga Ukraina deri në prill 2023, duke krijuar kështu krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Shumë prej liderëve europianë dhe Kanadaja kanë mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne (24 shkurt) në Kiev në kuadër të përvjetorit të tretë të pushtimit rus.
Liderët europianë, mes të cilëve edhe Presidentja e Komsionit Europian Ursula von derLeyen, dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, janë pritur nga Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha dhe shefi i kabinetit të presidentit Andrii Yermak.
Të ftuarit, duke përfshirë gjithashtu presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, si dhe kryeministrat e vendeve të Evropës Veriore dhe Spanjës, do të marrin pjesë në ngjarjen kushtuar përvjetorit dhe do të diskutojnë mbështetjen e Ukrainës në mes të një ndryshimi të fundit të politikës së SHBA nën Presidentin Donald Trump.