Merz: Rritja e AfD-së, këmbanë alarmi për partitë tjera

Evropë

Merz: Rritja e AfD-së, këmbanë alarmi për partitë tjera

Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 14:26
Friedrich Merz, udhëheqës i aleancës CDU/CSU.

Friedrich Merz, udhëheqës i aleancës CDU/CSU, që i fitoi zgjedhjet federale të 23 shkurtit në Gjermani, tha se konservatorët kanë “mandat të qartë për të formuar qeverinë”.

Merz tha se do të bisedojë me udhëheqësit e Social-Demokratëve në ditët në vazhdim dhe se negociatat do të adresojnë si formimin e koalicionit të ri, ashtu edhe tranzicionin e pushtetit.

Duke folur në konferencën e parë për gazetarë, pas zgjedhjeve, Merz radhiti tri prioritetet e tij kryesore - së pari, ai tha se Gjermania duhet ta organizojë mbrojtjen e saj.

Si shqetësim të dytë dhe të tretë përmendi migrimin dhe ekonominë, por shfaqi besimin se aleanca e tij do të gjejë zgjidhje.

Fakti që partia e ekstremit të djathtë, AfD, ka dyfishuar votat e saj në përqindje, është një “këmbanë e vërtetë alarmi për partitë politike të qendrës në Gjermani, që të dalin me zgjidhje të përbashkëta”, tha Merz.

Aleanca e tij fitoi 28.5 për qind të votave - pamjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme.

Merz tha se i falënderon 40 milionë votuesit që votuan për të dhe shfaqi shpresën se do ta formojë qeverinë deri në Pashkë, përkatësisht deri në gjysmën e dytë të prillit.

“Bota nuk do të na presë”, tha ai.

Merz përsëriti se të gjitha sinjalet që vijnë nga SHBA-ja, e bëjnë të qartë se interesi dhe vullneti i saj për t’u angazhuar me Evropën “po pakësohet”.

Ai tha se shpreson se mund ta bindë SHBA-në se është në interesin e saj që të ketë “marrëdhënie të mira transatlantike”.

Një ditë më herët, Merz tha se do të kërkojë “pavarësi” të sigurisë nga SHBA-ja dhe shprehu dyshime për të ardhmen e NATO-s.

Kjo, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i tronditi aleatët tradicionalë të Amerikës në Evropë me gatishmërinë e tij për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë.

Kjo shkaktoi shqetësime se Evropa apo edhe vetë Kievi do të mund të mënjanohen nga ky proces.

Trump, gjithashtu, është ankuar se vendet evropiane nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre dhe shpesh ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjate të vetë NATO-s.

Merz tha të hënën se do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij “për t’i ruajtur marrëdhëniet e mira transatlantike”./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat