Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Gjermani konfirmuan të hënën fitoren e partisë konservatore të udhëhequr nga Friedrich Merz. Konservatorët gjermanë u zotuan se do të angazhohen për krijimin e shpejt të qeverisë, por ata pritet të përballen me bisedime të ndërlikuara për formimin e koalicionit qeveritar dhe me një parlament ku partitë e skajshme të djathta dhe të majta do të kenë një prani të shtuar. Angazhimet për krijimin e qeverisë vijnë në një moment të ndjeshëm për Gjermaninë, e cila po përballet me ngecje ekonomike dhe pasiguri në marrëdhëniet ndërmjet Evropës me Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nën trysninë e kohës, përballë një ekonomie të dobësuar, përçarjeve të brendshme rreth imigraconit dhe sigurisë së lëkundur përballë qëndrimit konfrontues të Shteteve të Bashkuara dhe një Rusie dhe Kine që synojnë të dominojnë, Friedrich Merz, drejtuesi i partisë konservatore gjermane CDU, tha të hënën se blloku që ai udhëheq kishte fituar votat e mjaftueshme në zgjedhjet e fundjavës për të krijuar një koalicion qeverisës me social-demokratët e qendrës së majtë, të cilët pësuan rënie duke u renditur në vendin e tretë.
“Ky është paralajmërimi i fundit për partitë e qendrës së Gjermanisë për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Unë do t marr përsipër këtë detyrë. Do të angazhohem për bisedime konstruktive, të mira dhe të shpejta me social-demokratët… Bota nuk na pret. Po ecën me shpejtësi. Gjermania ka nevojë për një qeveri të aftë për të vepruar, që ka shumicën parlamentare dhe që mund të dalë nga situata aktuale sa më parë”, deklaroi zoti Merz.
Ai tha se bisedimet për krijimin e qeverisë do të fillonin brenda disa ditësh dhe do të zgjasin për disa javë, duke u përqëndruar në marrëdhëniet e jashtme, imigracionin dhe ekonominë.
Fitorja e konservatorëve në Gjermani siguron një aleat të fuqishëm për Ukrainën në Bashkimin Evropian dhe jep shpresë për ringjalljen e ekonomisë më të madhe evropiane, që gjatë viteve të fundit ka shënuar rënie.
Merz, i cili pritet të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, ka premtuar një qasje të rreptë ndaj imigracionit. Fitorja e konservatorëve u prit mirë nga komuniteti i biznesit dhe nga tregu, me shpresë se një qeverisje e qëndrueshme e një partie me prirje fiskale konservatore do t’i jepte fund ngërçit politik dhe do të përqëndrohej në përballimin e sfidave ekonomike të vendit.
Njëri prej drejtuesve të social-demokratëve, Lars Klingbeil tha se mbetet e paqartë nëse partia e tij do të jetë pjesë e koalicionit të ri qeverisës.
“Vendimet për këtë do të merren gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm. Topi është në fushën e zotit Merz për t’u bërë ofertë social-demokratëve dhe pastaj do të vendosim. Këta janë hapat para nesh”, deklaroi ai.
Por rezultati i zgjedhjeve tregon për një votë proteste kundër partive kryesore. Partia e të djathtës së skajshme, Alternativa për Gjermaninë, AfD, parti kundër imigracionit, doli nga zgjedhjet si forca e dytë më e madhe politike, duke përfituar nga zemërimi i elektoratit me numrin e madh të imigrantëve dhe refugjatëve që Gjermania ka pranuar në dekadën e fundit dhe një mori incidentesh ekstremiste, të cilat tronditën ndjenjën e sigurisë në vend.
AfD-së fitoi përkrahjen më të lartë për një parti të së djathtës ekstreme që nga Lufta e Dytë Botërore, duke u bërë forcë e rëndësishme politike në Gjermani vetëm 12 vjet pas themelimit të saj. Pas publikimit të rezultateve, ajo tha se synimi i saj është të bëhet partia kryesore në zgjedhjet e radhës në Gjermani përkundër refuzimit të partive të tjera që të bashkëpunojnë me të.
“AfD-ja arriti një sukses historik. Arritëm rezultatin më të mirë në historinë e partisë tonë dhe jemi shumë të kënaqur. E dyfishuam rezultatin tonë brenda tre vitesh dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm. Asnje parti tjetër në Evropë nuk ka arritur ta konsolidojë veten si një parti e popullit për një periudhë kaq të shkurtër. Jemi parti e popullit, jemi stabil, jemi partia e dytë më e madhe në Gjermani dhe jemi në rritje”, deklaroi drejtuesja e partisë Alternativa për Gjermaninë, Alice Weidel.
Ajo njoftoi se ka pranuar telefonata të shumta urimi, përfshirë nga miliarderi Elon Musk, bashkëpunëtori i afërt i Presidentit amerikan Trump. Ajo e quajti bllokadën e partive të tjera për ta përfshirë partinë e saj në koalicion qeverisës si jodemokratike.
Konservatorët fituan 208 vende në parlamentin me 630 vende, ndërkohë që AfD i fitoi 152. Tre partitë që ishin pjesë të koalicionit të kaluar qeverisës humbën përkrahje.
Banorët e Berlinit thanë se shpresojnë për një formim të shpejt të koalicionit qeverisës dhe shprehën rezerva për rritjen e partisë së djathtë të skajshme.
“Nuk jam aspak e kënaqur. Është shumë vështirë të përballosh faktin që 20 për qind e gjermanëve votuan për Alternativën për Gjermaninë. Më duket rezultat shumë i vështirë” thotë historianja Wilma Schutze.
Ngjashëm u shpreh edhe banori Jorg Rudnicki, punonjës laboratori.
“Mendoj se ky problem filloi 7,8,9 vite më parë. Partitë e qendrës nuk u ballafaquan me problemet dhe pastaj popullistët e patën të lehtë të marrin shumë vota pa ofruar zgjidhje”, tha ai.
Bashkarisht konservatorët dhe social-demokratët kanë 328 vende në parlamentin gjerman. Zoti Merz thotë se shpreson të arrijë një marrëveshje koalicioni ndërmjet dy partive deri në muajin prill.
Por partitë i presin bisedime të vështira për të rënë dakord rreth propozimeve më shumë dallime për ringjalljen e ekonomisë, e cila ka pësuar tkurrje në dy vitete e fundit dhe mënyrave se si ta kufizojnë imigrimin e jashtëligjshëm.
Bisedimet ndërmjet këtyre dy partive gjatë javëve të ardhshme do të përcaktojnë nëse konserveratorët duhet të zgjerojnë bisedimet për përfshirjen e Partisë së Gjelbër në koalicionin qeverisës.
Konservatorët dhe social-demokratët janë dy partitë kryesore të Gjermanisë pas periudhës së Luftës së dytë Botërore, por përkrahja për to gjatë dy dekadave të fundit është zbehur ndërkohë që reliefi politik është përçarë.
Përkrahja për dy partitë në zgjedhjet e së dielës ishte më e dobëta që pas krijimit të republikës federale pas luftës në vitin 1949./VOA