Si të mbrohet Deti Baltik nga flota në hije e Rusisë?

Evropë

Si të mbrohet Deti Baltik nga flota në hije e Rusisë?

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 13:07
Një anije detare estoneze duke patrulluar në Detin Baltik më 9 janar pas sabotimit të dyshuar të kabllove nënujore.

Në 18 muajt e fundit ka pasur incidente të shumta në Detin Baltik, ku janë dëmtuar kabllot e telekomunikimeve dhe të energjisë elektrike, si dhe tubacionet e gazit.

Disa nga incidentet mund të kenë qenë edhe aksidentale, por ka pasur zyrtarë evropianë që e kanë drejtuar gishtin edhe drejt flotës në hije të Rusisë.

Kjo flotë u referohet afërsisht 350 anijeve me pronësi të errët, të cilat besohet se u shmangen sanksioneve perëndimore ndaj naftës ruse, duke transportuar rreth 80 për qind të furnizimeve - prej të cilave gati 50 për qind nisen nga portet ruse në Detin Baltik.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa për gjysmën e këtyre anijeve, duke ua ndaluar të ankorojnë në portet e BE-së ose të marrin shërbime - në çfarëdo mënyre - nga kompanitë e BE-së.

Në janar, vendet e BE-së rreth Detit Baltik kanë vendosur të krijojnë një grup ekspertësh, për të hetuar rrugë të ndryshme ligjore për parandalimin e incidenteve që kanë në shënjestër infrastrukturën nënujore.

Këto shtete bregdetare - Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Letonia, Lituania, Polonia e Suedia - kanë pothuajse kontroll total të ujërave të tyre territoriale, të cilat shtrihen në 12 milje detare.

Por, incidentet nuk kanë ndodhur aty.

Ato kanë ndodhur në “zonat ekskluzive ekonomike” të shteteve baltike - zona që shtrihen deri në 200 milje detare.

Në to, shtetet bregdetare kanë të drejta nën sipërfaqen e detit, p.sh. për eksplorimin e burimeve detare, por ujërat sipërfaqësore janë ujëra ndërkombëtare.

Dhe, për ujërat ndërkombëtare vlen Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat në Det (UNCLOS).

Kjo do të thotë se është flamuri i anijes - që tregon se ku është regjistruar zyrtarisht - ai që përcakton se cili shtet ka autoritet ligjor mbi anijen.

Autoriteti ligjor këtu nënkupton që një vend ka të drejtë të ndalojë ose të hyjë në një anije të dyshimtë.

“Deri më tani, liria e lundrimit është pothuajse absolute; kështu e shohin shtetet”, thonë zyrtarë të Bashkimit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

“Por, [kjo] nuk përfshin të drejtën për të sulmuar infrastrukturën kritike në rrugë e sipër”, sipas tyre.

Pikërisht, kjo çështje - sesi liria e lundrimit ndërthuret me të drejtat e shteteve bregdetare për të kapur anije të dyshimta - është ajo në të cilën janë duke punuar ekspertët nordiko-baltikë.

Ekspertët ligjorë kanë filluar tashmë disa takime, për të diskutuar se çfarë mund të bëhet përtej vendimit politik për rritjen e pranisë së anijeve ushtarake, me shpresën për të parandaluar incidentet e ardhshme.

Plani është të organizohet një konferencë e madhe në fillim të prillit, e cila do të mblidhte zyrtarë nga ministritë e Jashtme, të Mbrojtjes dhe të Brendshme të të gjitha vendeve të BE-së dhe të NATO-s, për të shqyrtuar çështjen nga këndvështrime të ndryshme.

Të gjitha opsionet janë të ndërlikuara, pasi do të kishin efekte globale.

Diplomatët e BE-së tërheqin vërejtjen se, sido që të reagojnë vendet nordike-baltike, ato duhet ta kenë parasysh se anijet evropiane në dete të tjera, mund të trajtohen në mënyrë të ngjashme - domethënë të ndalohen dhe të kontrollohen paraprakisht.

Vendet e mëdha detare, si Danimarka dhe Greqia, janë të etura për t’i shmangur pengesat shtesë gjetkë - për shembull, në Detin e ngarkuar të Kinës Jugore.

Një çështje e rëndësishme këtu është nëse shtetet do të kenë autoritet për të hyrë me forcë në një anije dhe në çfarë rrethanash? A mund të bëhet kjo në mënyrë parandaluese apo vetëm pas ndonjë incidenti?

Deri më tani, hyrja në një anije varej nga bashkëpunimi i autoriteteve të posaçme shtetërore me kapitenin e një anijeje të caktuar.

Diplomatët thonë se janë duke i shqyrtuar mundësitë nëse Konventa për Mbrojtjen e Kabllove Telegrafike Nëndetëse - një traktat shumëpalësh i nënshkruar në vitin 1884, që penalizon dëmtimin e kabllove të komunikimit - mund të zbatohet në këtë kontekst.

Por, një zgjidhje mund të jetë edhe detyrimi i anijeve që hyjnë në Detin Baltik, për t’u siguruar siç duhet. Shumë anije që janë akuzuar për dëmtimin e infrastrukturës nënujore në Detin Baltik kohët e fundit, kanë qenë në gjendje të keqe. Ndaj, këtu mund të dalin në pah ligjet për mbrojtjen e mjedisit, pasi anijet e tilla mund të shkaktojnë derdhje nafte./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat