BE-ja po i ofron Ukrainës një marrëveshje për mineralet e ralla

Evropë

BE-ja po i ofron Ukrainës një marrëveshje për mineralet e ralla

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 16:15
Harta

Bashkimi Evropian i ofroi të hënën Ukrainës një marrëveshje të vetën për “materialet kritike”, pikërisht në momentin kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni është pranë arritjes së një marrëveshjeje me Kievin për të drejtat mbi burimet e tij të mëdha natyrore.

Komisioneri Evropian për strategjinë industriale, Stephane Sejourne, tha se u kishte paraqitur zyrtarëve ukrainas një propozim konkurrues gjatë vizitës në Kiev, e cila u zhvillua në kuadër të përvjetorit të tretë të pushtimit të plotë rus.

“Njëzet e një nga 30 materialet kritike që i nevojiten Evropës mund të sigurohen nga Ukraina në një partneritet fitim-fitim”, tha Sejourne.

Ai theksoi gjithashtu se “vlera e shtuar që ofron Evropa është se kurrë nuk do të kërkojë një marrëveshje që nuk është reciprokisht e dobishme”.

Ndërkohë, Trump po kërkon gjithnjë e më agresivisht të drejta mbi pasuritë minerare të Ukrainës, duke kërkuar deri në 500 miliardë dollarë kompensim për mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Kievit në mbrojtjen nga agresioni rus, shkruan politico.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deri tani ka refuzuar të nënshkruajë dy draft-marrëveshje të propozuara nga administrata e Trumpit, duke argumentuar se kushtet – për të cilat New York Times raporton se përfshijnë heqjen dorë nga mineralet, të ardhurat nga nafta dhe gazi, si dhe fitimet nga portet dhe infrastruktura të tjera në vlerë prej 500 miliardë dollarësh – janë tepër të ashpra.

“Nuk do të nënshkruaj diçka që dhjetë breza të ukrainasve do të duhet ta shlyejnë”, tha Zelenski në një konferencë për shtyp të dielën.

Por, Trump të hënën këmbënguli se “marrëveshja përfundimtare” është “shumë afër” dhe se do të përfshijë “metale të rralla dhe gjëra të tjera të ndryshme”.

Ukraina ka rezerva të mëdha të elementëve dhe mineraleve thelbësore, nga litiumi te titani, të cilët janë kritikë për prodhimin e teknologjive moderne dhe shumë të kërkuar në garën globale për burime.

Gjithashtu, ajo ka rezerva të mëdha qymyri, si dhe naftë, gaz dhe uranium, megjithatë një pjesë e madhe e këtyre burimeve ndodhet në territore nën kontrollin rus. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat