Kryeministri britanik, Keir Starmer, është zotuar se do të rrisë shpenzimet për mbrojtje në 2.5 për qind të ekonomisë deri më 2027, teksa ka pasiguri lidhur me angazhimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për sigurinë evropiane.
Starmer shprehu synimin që të arrihet edhe 3 për qind e Bruto Prodhimit të Brendshëm sa i përket shpenzimeve për mbrojtje, një rritje prej 0.7 për qind nga shpenzimet aktuale që do të shënonte rritjen më të madhe që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Njoftimi i Starmer vjen disa ditë para se ai të takohet të enjten me Trumpin në Uashington.
Mbretëria e Bashkuar ka shpenzuar 2.3 për qind të BPB-së në mbrojtje më 2023/24.
Edhe më herët Qeveria e tij ishte zotuar se shpenzimet për mbrojtje do të rriteshin në 2.5 për qind, por nuk ishte thënë se kur do të bëhej kjo.
Kryeministri britanik i tha Parlamentit se rritja do të financohet duke shkurtuar ndihmën për zhvillim jashtë vendit nga 0.5 për qind e të ardhurave kombëtare në 0.3 për qind.
Starmer shtoi se shpreson që rritja e shpenzimeve të arrijë në 3 për qind të BPB-së në Parlamentin e ri, që i bie gjatë një periudhe pesëvjeçare pasi zgjedhjet e reja pritet të mbahen më 2029./REL