Dënimi i sotshëm i presidentit të Republikës Sërpska (RS) të Bosnje dhe Hercegovinës, Mirollad Dodik, është cilësuar si “kriza më e madhe që nga përfundimi i luftës” dhe rezultat i “sulmit të përgjithshëm të Sarajevës dhe disa fuqive perëndimore ndaj RS-së” nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, raporton agjencia Beta.
Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë e dënoi sot Dodikun me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit, duke nisur nga dita kur hyn në fuqi vendimi. Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, u liruar nga të gjitha akuzat.
Të dy ishin të akuzuar për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.
Pak pas marrjes së vendimit për Dodikun, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte thirrur seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, Daçiq tha se ky organ, me propozim të Vuçiqit, miratoi njëzëri shtatë përfundime, ku, ndër të tjera, dënon vendimin e gjykatës si “jodemokratik dhe të paligjshëm” dhe bën thirrje për respektimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe për ndalimin e “shkatërrimit të mëtejshëm të sistemit” të krijuar nga ky dokument.
“Këshilli bëri thirrje për qetësi në reagime, sepse kjo është shumë e rëndësishme për momentin në të cilin ndodhemi, për unitet dhe bashkim të gjithë popullit tonë dhe të të gjitha partive politike në Serbi dhe RS. Kishte edhe përfundime të tjera që nuk do t'i përmend, por u shpreh shqetësim i madh për këtë situatë", tha Daçiq, i cili është edhe sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ai shtoi se në seancë u vlerësua se vendimi kundër presidentit të RS-së është “i drejtuar kundër interesave jetike të popullit serb” dhe se “ndërhyrja e të huajve” ka çuar në krizën aktuale.
Daçiq edhe konfirmoi se Vuçiqi do të udhëtojë sonte drejt Banja Llukës për të biseduar me Dodikun.
“Kjo është shumë e rëndësishme. Të gjithëve u është bërë e qartë se Serbia, RS-ja dhe populli serb në tërësi ndodhen në një situatë të vështirë”, tha Daçiq.
Edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, e quajtin dënimin si “sulm ndaj serbëve dhe Serbisë”.
Vulin tha se në Serbi aktualisht po tentohet “shkaktimi i një revolucioni me ngjyra dhe destabilizimi i Republikës së Serbisë nga shërbimet perëndimore të inteligjencës” dhe se vendimi ndaj Dodikut është pjesë e “përpjekjeve për destabilizimin e Ballkanit”.
Ai shtoi se Serbia dhe presidenti serb Vuçiq “do t’i mbrojnë serbët kudo që jetojnë dhe nuk do të lejojnë rrënimin e Republikës Sërpska”.
Nëse aktgjykimi në të njëjtën formë bëhet i formës së prerë, Dodik, përveçse pushon së qeni president i RS-së, sipas Kodit Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, humb edhe të drejtën për të ushtruar çfarëdo funksioni publik në Bosnjë dhe Hercegovinë për një periudhë prej gjashtë vjetësh./REL