Papa Françesku, që është hospitalizuar për më shumë se dy javë dhe po përballet me pneumoni të dyfishtë, ka kaluar edhe një natë të qetë dhe tani po pushon, tha Vatikani më 28 shkurt.
Françesku u shtrua në spitalin Gemelli të Romës më 14 shkurt dhe fillimisht u tha se ai po vuante nga bronkiti, por më pas u kuptua se ai kishte diçka më serioze.
Sipas informacioneve të publikuara një ditë më parë lidhur me gjendjen shëndetësore të Papës, Vatikani tha se gjendja e Atit të Shenjtë “po vazhdon të shfaqë shenja përmirësimi”, por prognoza e tij po vazhdon të monitorohet për shkak të situatës komplekse klinike.
Në dy vjetët e fundit, Françesku është përballur me probleme shëndetësore. Ai është i prirë që të ketë infeksione në mushkëri, pasi kur ishte i ri kishte hequr një pjesë të mushkërisë.
Pneumonia e dyfishtë është një infeksion serioz i dy mushkërive që mund të shkaktojë inflamacion dhe të vështirësojë frymëmarrjen. Vatikani tha se të shtunën Françesku përjetoi një “krizë të zgjatur të frymëmarrjes”, por kriza të tilla nuk ka pasur që atëherë.
Françesku, 88 vjeç, është udhëheqësi i Kishës Katolike që nga viti 2013.