Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka reaguar pas tensioneve në takimin e presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Nevojitet një samit i menjëhershëm midis Shteteve të Bashkuara, shteteve evropiane dhe aleatëve për të folur sinqerisht se si synojmë t'i trajtojmë sfidat e mëdha të sotme, duke filluar me Ukrainën, të cilën e kemi mbrojtur së bashku vitet e fundit, dhe ato që do të na kërkohet t'i adresojmë në të ardhmen. Ky është propozimi që Italia synon t'u bëjë partnerëve të saj në orët e ardhshme”, ka deklaruar Meloni, shkruan ANSA.
Giorgia Meloni ka theksuar rëndësinë e unitetit në çështjet e mëdha.
"Çdo ndarje e Perëndimit na bën të gjithëve më të dobët dhe favorizon ata që do të donin të shihnin rënien e qytetërimit tonë. Jo nga fuqia apo ndikimi i tij, por nga parimet që e themeluan atë, në radhë të parë liria. Një ndarje nuk do t'i konvenonte askujt”, shtoi ajo.
Takimi i së premtes mes presidentëve Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky është përcjell me tensione, të cilat rezultuan me largimin e këtij të fundit pa u nënshkruar marrëveshja për mineralet. Madje, mediat botërore, kanë raportuar se presidenti Donald Trump e ka përzënë Volodymyr Zelenskyn.