Agresioni rus lë gjurmë afatgjata në jetët e banorëve ukrainas

Evropë

Agresioni rus lë gjurmë afatgjata në jetët e banorëve ukrainas

Më: 1 mars 2025 Në ora: 17:46
Agresioni rus lë gjurmë afatgjata në jetët e banorëve ukrainas 

Ukraina ka nevojë për 524 miliardë dollarë për t’u rindërtuar gjatë dekadës së ardhshme, sipas një raporti të ri për Vlerësimin e Dëmeve dhe Nevojave. Raporti është hartuar nga Kombet e Bashkuara, qeveria e Ukrainës, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets i hedh një vështrim nevojave të fshatit të vogël Yahidne – rreth 90 kilometra në veri të kryeqytetit Kiev, tre vjet pas hyrjes së trupave ruse.

Fotografitë nga bodrumi i shkollës së Yahidnes në prill të vitit 2022 u bënë virale: Trupat ruse mbajtën të mbyllur gjithë fshatin për gati një muaj.

“Më 3 mars 2022, rusët hynë në fshat dhe brenda tre ditësh i futën të gjithë në bodrum. 380 vetë në një sipërfaqe prej 198 metrash katrorë, domethënë rreth gjysmë metër hapësirë për person”, thotë Ivan Polguy, një banor i Yahidnes.

Në mure janë shkruar emrat e 10 banorëve që vdiqën në bodrum.

“Nuk kishim oksigjen të mjaftueshëm, ishim shumë njerëz brenda. Nuk lëviznim dot; filluan të na enjten këmbët dhe të na plasaritej lëkura. Ishte e pamundur të duroje dhe filluan vdekjet”, thotë Ivani.

Më pas, më 31 mars 2022, trupat ukrainase rimorën kontrollin e Yahidnes nga ushtria ruse. Banorët nuk e njihnin më fshatin e tyre.

“Në fshat janë 174 familje. Shtatëmbëdhjetë shtëpi u dogjën plotësisht. Të gjitha të tjerat u dëmtuan. I gjithë fshati ishte i shkrumbuar”, thotë Kryetarja e fshatit, Olha Lyakhovets.

Zonja Lyakhovets sqaron se shumë banorë u larguan menjëherë, nga frika për sigurinë e tyre. Disa filluan të ktheheshin brenda dy muajsh. Valentina, e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin për arsye sigurie, thotë se shtëpia e saj ishte dëmtuar rëndë.

“Nuk kishte as çati, as dritare, as dyer, asgjë. Isha tepër e tronditur”, thotë ajo.

Vullnetarët ishin të parët që erdhën për të ndihmuar për rindërtimin.

“Në tre vjet kam nënshkruar më shumë se 50 memorandume bashkëpunimi. Ka pasur ndihma të ndryshme: financiare, materiale, ka pasur ndihmë me krahun e punës”, thotë kryetarja e komunës së Ivanivkas, që përfshin Yahidnen.

Shumë fshatarë, si Hryhoriy Khodak, filluan të rindërtonin vetë.

“Së pari i mbulova dritaret me llamarina dhe fillova të pastroj brenda. Jetuam kështu ndoshta deri në nëntor, kur vullnetarët na sollën dritare”, thotë ai.

Në vitin 2023, Yahidne u përfshi në një projekt pilot shtetëror për një rindërtim gjithëpërfshirës.

“Kjo është rruga Druzhby, qendra e fshatit. Ishte dëmtuar rëndë nga bombardimet. Tani rruga është restauruar, janë ngritur gardhe të reja, është kthyer ndriçimi, por ende nuk është në funksionim”, thotë kryetarja Lyakhovets.

Financimi për projektin pilot u ndërpre përkohësisht në vitin 2024 dhe rifilloi në vitin 2025. Autoritetet lokale thonë se tani pothuajse të gjithë banorët e fshatit janë kthyer dhe jetojnë në shtëpitë e tyre.

"Tani jemi pothuajse në 90%. Rreth 10 shtëpi nuk janë rindërtuar ende", thotë zonja Shvydka.

Por trauma emocionale vazhdon.

“Njerëzit janë më të dëshpëruar, më të trishtuar. Pas atyre ditëve në bodrum, shumë vetë filluan të sëmureshin. Nuk do ta harroj për sa të jetë jeta”, thotë Valentina.

Autoritetet ukrainase janë zotuar ta kthejnë shkollën ku mbaheshin banorët në një kompleks përkujtimor.

Ndërkohë një raport i fundit i hartuar nga OKB-ja, qeveria ukrainase dhe organizata të tjera – thotë se 13 për qind e banesave në Ukrainë janë dëmtuar ose shkatërruar që kur filloi agresioni i Rusisë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat