Dokumentet që rrodhën zbulojnë lidhjet e një serbi të Bosnjës me inteligjencën ushtarake ruse

Evropë

Dokumentet që rrodhën zbulojnë lidhjet e një serbi të Bosnjës me inteligjencën ushtarake ruse

Më: 1 mars 2025 Në ora: 19:33
Davor Saviçiq

Në gusht të vitit 2023, një mercenar famëkeq serb i Bosnjës u shfaq në një program propagandistik rus, për të rekrutuar luftëtarë për luftën gjithëpërfshirëse kundër Ukrainës, që Kremlini kishte nisur 18 muaj më parë.

“Dua t’i ftoj si rusët, ashtu edhe serbët”, tha në atë intervistë Davor Saviçiq, atëkohë i lidhur me grupin tashmë të zhdukur mercenar, Wagner, i cili luftoi në Siri dhe në Ukrainë, shkruan REL.

“Njësia është duke operuar dhe do të vazhdojë të operojë”, tha ai.

Më herët, Saviçiq ishte i kujdesshëm me gazetarët, në lidhje me aktivitetet e tij në Rusi, duke u thënë vetëm se ishte një punëtor i thjeshtë ndërtimi, që jetonte jashtë Moskës.

Në intervistën për programin pro Kremlinit, Solovyov Live, ai pohoi se njësia e tij vullnetare “po nënshkruante një kontratë me Ministrinë [ruse] të Mbrojtjes”.

Por, një bazë e të dhënave që rrodhi nga spitali i Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe e siguroi Radio Evropa e Lirë, tregon se lidhjet e Saviçiqit me ushtrinë ruse, janë shumë më të thella se ato të një ndërtuesi të thjeshtë ose rekrutuesi vullnetar: ai është i listuar si kolonel i agjencisë së inteligjencës ushtarake - GRU.

Saviçiq, i cili u sanksionua nga Mbretëria e Bashkuar në nëntor për “destabilizimin e Ukrainës”, është mes qindra luftëtarëve të huaj të listuar në databazën në fjalë.

Ajo ka mbi 165.000 të dhëna individuale, të cilat ofrojnë informacione për viktimat që Moska i ka pësuar që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, tre vjet më parë.

Megjithatë, një vlerësim përfundimtar për të gjithë shtetasit e huaj që kanë shërbyer në forcat e armatosura të Rusisë, nuk ka.

Sipas vlerësimeve perëndimore, numri i viktimave ruse - qofshin të vrarë ose të plagosur - sillet në rreth 700.000.

Por, të dhënat që rrodhën, ofrojnë edhe një sërë provash për mercenarët e huaj të Rusisë - disa prej të cilëve u regjistruan për pagë, ndërsa të tjerë nën presion ose ranë pre e mashtrimeve.

Një analizë që u bëri REL-i të dhënave për shtrimet në spital, zbuloi se ushtarë të huaj nga dhjetëra vende - përfshirë Serbinë, Nepalin, Indinë, Kinën, Shri Lankën, Kubën e Kamerunin - janë trajtuar në spitalet ushtarake ruse midis shkurtit 2022, kur presidenti rus, Vladimir Putin, filloi pushtimin e Ukrainës, dhe mesit të qershorit, 2024. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat