Samiti për Ukrainën/ Starmer zbulon se për çfarë u pajtuan në Londër

Evropë

Samiti për Ukrainën/ Starmer zbulon se për çfarë u pajtuan në Londër

Më: 2 mars 2025 Në ora: 18:19 Përditësuar në ora: 20:31 më 02.03.2025
Sami për situatën në Ukrainë

Starmer: Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore në Ukrainë

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore në sigurimin e paqes në Ukrainë, teksa la të kuptohet se disa shtete janë të gatshme të ndihmojnë që të mbrohet një marrëveshje e mundshme e paqes.

Udhëheqësi britanik sërish bëri thirrje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar presidentin rus, Vladimir Putin, që të shkelë ndonjë marrëveshje të mundshme armëpushimi. Këto deklarata ai i bëri pasi mirëpriti dhjetëra udhëheqës evropianë dhe zyrtarë të NATO-s në Londër.

Ky samit u mbajt dy ditë pas një përplasjeje të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

“Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore, por për të mbështetur paqen në kontinentin tonë dhe që të kemi sukses kjo përpjekje duhet të ketë mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja”, tha Starmer pas takimit.

Kryeministri britanik dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë thënë se janë të gatshëm që të dislokojnë trupa në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e paqes në rast se nënshkruhet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi më 2022.

Dy zyrtarët po udhëheqin përpjekjen për të formuar një grup të shteteve që do të kontribuonin në forma të ndryshme për këtë çështje dhe Starmer iu referua këtij grupi si “koalicioni i të gatshmëve”.

“Një numër shtetesh lanë të kuptohet sot se duan të jenë pjesë e planit që ne po zhvillojmë”, tha Starmer, i cili nuk përmendi emra të këtyre shteteve.

Starmer tha se shtetet që kanë shprehur gatishmëri “do të intensifikojnë planifikimin me urgjencë”.

“Jo të gjitha shtetet ndihen se janë në gjendje të kontribuojnë, por kjo nuk do të thotë që ne të qëndrojmë duarkryq”, tha ai.

Starmer tha se bota gjendet në një udhëkryq dhe është momenti për të vepruar.

“Ky nuk është momenti për më shumë bisedime. Është koha për të vepruar. Koha për t’u ngritur dhe për të udhëhequr dhe për t’u bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë e të qëndrueshme”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ende nuk është zotuar se do të ofrojë garanci të sigurisë, por Starmer shtoi se diskutimet po bëhen në bazë të asaj “që do të ketë mbështetje të SHBA-së”.

“Nuk do të ecja në këtë rrugë nëse nuk do të mendoja se nuk do të prodhonte rezultate pozitive në drejtim të sigurimit që të ecim së bashku, Ukraina, Evropa, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja”, shtoi ai.

Por, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, duket se e ka minimizuar mundësinë që Italia të kontribuojë në një mision paqeruajtës, duke thënë se “prania e trupave italiane në Ukrainë në këtë fazë nuk ka qenë asnjëherë në agjendë”.

Para samitit në Londër, Starmer tha se shteti i tij, Franca dhe Ukraina po punojnë për një plan armëpushimi që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara.

Image
Starmer dhe Zelensky në samitin për Ukrainën në Londër më 2 mars 2025.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ishin në mesin e dhjetëra udhëheqësve evropianë që iu bashkuan Starmerit dhe Zelenskyt për bisedime në Londër.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, po ashtu morën pjesë në samitin e sigurisë.

Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.

Kjo nuk është një shumë që ndryshon lojën, por ofron një lloj ngushëllimi për Zelenskyn, pas përplasjes së paprecedent dhe të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, pas së cilës ai u largua më 28 shkurt nga Shtëpia e Bardhë më herët seç pritej dhe duarbosh.

Konferenca në Londër mori një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, – që mori pjesë në samit – tha më herët se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.

Para samitit, Starmer takoi ndarazi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Ajo mund të jetë figurë e rëndësishme në përpjekjet e Evropës për të bindur Uashingtonin se ka nevojë për mbështetje të Ukrainës.

Meloni po ashtu zhvilloi një takim të ndarë edhe me Zelenskyn, ku diskutuan për "zhvillimin e një plani të përbashkët veprimi për t'i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", tha presidenti ukrainas. Ai shtoi se Ukraina ka nevojë që paqja të mbështetet nga garanci të sigurisë.

Një mbështetëse e Ukrainës, Meloni po ashtu është ideologjikisht e afërt me Trumpin dhe ai e ka lavdëruar udhëheqësen italiane.

Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit evropianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.

Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.

Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Evropa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Fituesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani, Friedrich Merz, deklaroi një javë më parë se Evropa duhet të “pavarësohet” nga Shtetet e Bashkuara.

Pas vizitës së Zelenskyt në Uashington, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të mbështeste masa për të ndihmuar Ukrainën që “t’i bëjë ballë agresionit të Rusisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin mbështetjen e tyre”.

“Ky është një test historik për Evropën”, tha kryeministri çek, Petr Fiala, më 1 mars. “Ajo duhet të kujdeset për sigurinë e saj”.

Pas samitit, Zelensky gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar është takuar edhe me Mbretin Charles III.

Takimi me Charlesin për Zelenskyn vë në pah mbështetjen e Britanisë për të dhe dëshirën e saj për të vepruar si një urë dhe paqebërës mes Uashingtonit dhe Kievit.

Starmer zbulon katër hapat e rënë dakord gjatë Samitit në mbështetje të Ukrainës

Starmer thotë se çdo marrëveshje e re për të mbështetur Ukrainën duhet të mbështetet nga forca dhe se çdo komb duhet të kontribuojë në mënyrën më të mirë që mundet, duke marrë përgjegjësi dhe duke rritur pjesën e vet.

Kryeministri thotë se liderët në samit ranë dakord për katër hapa të rëndësishëm:

Për të mbajtur rrjedhjen e ndihmave ushtarake në Ukrainë ndërkohë që lufta është në vazhdim dhe për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë

Çdo paqe e qëndrueshme duhet të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, dhe Ukraina duhet të jetë në tryezë për çdo bisedim paqeje

Në rast të një marrëveshjeje paqeje, udhëheqësit evropianë do të synojnë të pengojnë çdo pushtim të ardhshëm të Rusisë në Ukrainë

Do të kishte një “koalicion të të gatshëmve” për të mbrojtur Ukrainën dhe për të garantuar paqen në vend.

Starmer shton se ata që janë të gatshëm do të intensifikojnë planifikimin  me një urgjencë të vërtetë, përpara se të riafirmojnë angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta mbështetur këtë. “Evropa duhet të bëjë ngritjen e rëndë,” thotë ai.

“Marrëveshja ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së, ne pajtohemi me Trump për nevojën urgjente për një paqe të qëndrueshme. Tani ne duhet të japim së bashku”, thekson ai.

Mes shumë bisedimeve, kryeminstri britanik ka nënkuptuar se gjithë kjo situatë ka sjellë një udhëkryq në histori sot për sot. Sipas Starmer, në Samitin e sotëm liderët ranë dakord të takohen përsëri së shpejti në mënyrë që të “mbajnë ritmin pas këtyre veprimeve” dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një plani të përbashkët.

“Ne jemi në një udhëkryq historik sot. Ky nuk është një moment për më shumë biseda , është koha për të vepruar dhe bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Samiti në Londër mbledh udhëheqësit evropianë dhe të NATO-s

Dhjetëra udhëheqës evropianë dhe të NATO-s, së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, u mblodhën më 2 mars në Londër, disa ditë pas vizitës katastrofike të presidentit ukrainas në Uashington.

Edhe pse Ukraina do të jetë në fokus të samitit, bisedimet pritet të përfshijnë më gjerësisht sigurinë evropiane, pasi janë rritur shqetësimet lidhur me angazhimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen evropiane gjatë mandatit presidencial të Donald Trumpit.

Mikpritësi i samitit, kryeministri britanik, Keir Starmer, i ulur pranë Zelenskyt, tha se "është një moment që vjen një herë në brez për sigurinë e Evropës dhe ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë".

“Shpresoj që e dini se të gjithë ne jemi me ju dhe popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Të gjithë që janë në këtë tavolinë”, i tha ai udhëheqësit të Ukrainës në nisje të samitit.

“Ne kemi nevojë të pajtohemi se çfarë hapash do të dalin nga ky takim për të sjellë paqe përmes forcës, që është në të mirën e të gjithë neve”.

Para samitit, Starmer tha se shteti i tij, Franca dhe Ukraina po punojnë për një plan armëpushimi që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara.

Samiti në Londër u organizua disa ditë pas vizitës katastrofike të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington më herët gjatë kësaj jave.

“Mbretëria e Bashkuar së bashku me Francën, dhe ndoshta me një apo dy të tjerë, do të punojnë me Ukrainën mbi një plan për të ndalur luftimet dhe më pas ne do ta diskutojmë atë plan me SHBA-në”, tha Starmer për BBC-në, para nisjes së samitit.

Image

Starmer po ashtu theksoi se çdo marrëveshje e paqes për Ukrainën do të kërkonte që SHBA-ja të japë garanci të sigurisë, që është një nga pikat që Zelensky dhe Trump u përplasën gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve evropianë që iu bashkuan Starmerit dhe Zelenskyt për bisedime në Londër.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, po ashtu po marrin pjesë në samitin e sigurisë.

Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.

Kjo nuk është një shumë që ndryshon lojën, por ofron një lloj ngushëllimi për Zelenskyn, pas përplasjes së paprecedent dhe të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, pas së cilës ai u largua më 28 shkurt nga Shtëpia e Bardhë më herët seç pritej dhe duarbosh

Konferenca në Londër mori një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, – i cili gjendet në Londër – tha se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.

Para konferencës, Starmer takoi ndarazi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Ajo mund të jetë figurë e rëndësishme në përpjekjet e Evropës për të bindur Uashingtonin se ka nevojë për mbështetje të Ukrainës.

Meloni po ashtu zhvilloi një takim të ndarë edhe me Zelenskyn, ku diskutuan për "zhvillimin e një plani të përbashkët veprimi për t'i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", tha presidenti ukrainas. Ai shtoi se Ukraina ka nevojë që paqja të mbështetet nga garanci të sigurisë.

Një mbështetëse e Ukrainës, Meloni po ashtu është ideologjikisht e afërt me Trumpin dhe ai e ka lavdëruar udhëheqësen italiane.

Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit evropianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.

Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.

Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Evropa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Sfida e bisedimeve në Londër, pas debaklit në Shtëpinë e Bardhë, është që të arrihet diçka më e prekshme dhe më e madhe. Përveç kësaj, disa udhëheqës evropianë po shkojnë përtej asaj që vetëm të dëshmojnë vlerën e tyre për Uashingtonin. Në vend të kësaj, ata po përgatiten për skenarë të mundshme ku nuk do të mund të vareshin nga ombrella e sigurisë së SHBA-së.

Fituesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani, Friedrich Merz, deklaroi një javë më parë se Evropa duhet të “pavarësohet” nga Shtetet e Bashkuara.

Pas vizitës së Zelenskyt në Uashington, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të mbështeste masa për të ndihmuar Ukrainën që “t’i bëjë ballë agresionit të Rusisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin mbështetjen e tyre”.

“Ky është një test historik për Evropën”, tha kryeministri çek, Petr Fiala, më 1 mars. “Ajo duhet të kujdeset për sigurinë e saj”.

Më vonë, Zelensky do të takohet me Mbretin Charles III. Edhe pse monarku britanik ka vetëm një rol simbolik, takimi shërben gjithashtu për të dërguar një mesazh politik drejt Uashingtonit.

Ftesa e Starmerit për Trumpin nga Mbreti Charles për një vizitë të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar u pa gjerësisht si një moment kyç gjatë vizitës së kryeministrit britanik në Uashington më 27 shkurt.

Takimi me Charlesin për Zelenskyn vë në pah mbështetjen e Britanisë për të dhe dëshirën e saj për të vepruar si një urë dhe paqebërës mes Uashingtonit dhe Kievit.

 

Nis samiti për Ukrainën

Në Londër ka nisur një samit për situatën në Ukrainë.

Sipas Ukrinform, kjo është raportuar nga shërbimi për shtyp i Zyrës së Presidentit të Ukrainës.

"Një samit për situatën në Ukrainë ka filluar në Londër... Samiti, i organizuar nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, do të trajtojë sfidat me të cilat përballet Ukraina dhe e gjithë Evropa, luftën kundër agresionit rus dhe rrugët drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Diskutimet do të fokusohen në forcimin e pozicionit të Ukrainës duke siguruar ndihmën e vazhdueshme ushtarake dhe rritjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë", thuhet në deklaratë.

Vihet re se si rezultat i takimit, aleatët do të koordinojnë pozicionet e tyre, do të zhvillojnë një plan të përbashkët veprimi dhe hapa konkretë për t'i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë dhe për t'i dhënë Ukrainës garanci të besueshme sigurie.

Në samit marrin pjesë liderë nga Ukraina, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Italia, Spanja, Kanadaja, Holanda, Gjermania, Norvegjia, Polonia, Rumania, Finlanda, Franca, Republika Çeke dhe Suedia, si dhe Ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyent dhe Presidenti i Këshillit Evropian Costao Costao..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat