Udhëheqësit evropianë u takuan në Londër të dielën për të diskutuar luftën Ukrainë-Rusi. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi Presidentit të Ukrainës iu bë pritje e ngrohtë pasi javën e kaluar iu kërkua të largohej nga Shtëpia e Bardhë pas shkëmbimit të ashpër që pati me Presidentin amerikan Donald Trump.
Udhëheqësit botërorë u mblodhën gjatë fundjavës në Londër për një takim të nivelit të lartë për të diskutuar luftën e Ukrainës me Rusinë.
Tre vjet pas konfliktit të përgjakshëm, udhëheqësit i thanë Presidentit Volodymyr Zelensky se do të kishte mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Mikëpritja e ngrohtë në Evropë ofroi një pamje ndryshe nga diskutimi i ashpër që zoti Zelensky pati javën e kaluar me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i Ukrainës ishte atje për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet e rralla të Ukrainës me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, të dy udhëheqësit patën një diskutim të tensionuar para kamerave.
“Ju ose do të nënshkruani marrëveshjen ose ne nuk ju mbështesim më. Nëse ne nuk ju mbështesim, ju nuk do t’ia dilni mirë. Ju nuk i keni kartat e duhura. Sapo ta nënshkruajmë marrëveshjen, ju do të jeni në një pozitë shumë më të mirë. Megjithatë, ju nuk jeni aspak mirënjohës dhe kjo nuk është një gjë e mirë”, tha Presidenti Trump gjatë takimit.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio përsëriti qëndrimin e presidentit të dielën se zoti Zelensky rrezikon nisjen e Luftës së Tretë Botërore duke vazhduar të luftojë. Ai shtoi se përfundimi i kësaj lufte vjen me ndërmjetësim dhe jo në fushën e betejës.
“Nuk ka asnjë gjasë që lufta të marrë fund nëse nuk i detyrojmë palët të ulen në tryezën e bisedimeve. Të gjithë duhet ta kuptojnë se kjo është një luftë që po shkon në një drejtim të keq me vdekje dhe shkatërrim. Lufta gjithashtu ka të gjitha llojet e rrezikut që mund të shpërthejë në një konflikt më të gjerë. Sa më shpejtë njerëzit ta kuptojnë këtë, mendoj se aq më shumë përparim do të jemi në gjendje të bëjmë”, thotë zoti Rubio.
Ndërkaq, ushtarët ukrainas të plagosur rëndë dhe me pjesë të trupit të prera, po kthehen në fushën e betejës. Ata janë pjesë e grupit që sipas Presidentit Zelensky përfshin 380 mijë ukrainas të plagosur në luftë.
Demokratët thonë se kjo është koha e gabuar për të braktisur një aleat.
“Gjatë fundjavës pashë ushtarë ukrainas me gjymtyrë të copëtuara që ndërsa trajtoheshin nga stafi mjekësor rrinin në njërën këmbë për të nderuar himnin e tyre kombëtar. Kjo nuk është koha që të ndërpresim ndihmën për këta ukrainas të guximshëm”, thotë senatorja demokrate Amy Klobuchar.
Ndërsa rritet numri i ukrainasve të lënduar po ashtu shtohen edhe thirrjet për bisedimet për paqe.
“Ne duhet t’i japim paqes një mundësi. Ne duhet të krijojmë kushtet që krijon mjaft trysni mbi Putinin, mbi Rusinë për t’i detyruar që të pranojnë bisedimet. Megjithatë, nëse gjërat nuk shkojnë mirë, atëherë ne duhet të jemi në anën e Ukrainës”, thotë ambasadori britanik në Uashington, Peter Mandelson.
Për ushtarët ukrainas, disa me lëndime të rënda që ende vazhdojnë të luftojnë, paqja mund të mos arrij me kohë./Voa