Gjermania ndodhet aktualisht në kulmin e përpjekjeve për krijimin e qeverisë dhe koha nuk pret. CDU/CSU dhe SPD po vazhdojnë bisedimet paraprake. Këto raunde janë fokusuar tek çështjet financiare që ndër të tjera kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe ndihmat përUkrainën. Arsyeja e intensifikimit të këtij diskutimi ka të bëjë me situatën e tensionuar të krijuar në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kërcënoi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyj, se nuk do ta mbështesë në luftën me Rusinë. Trump e akuzoi rëndë Zelenskyjn.
Çfarë është e mundur dhe nga duhen gjeneruar paratë?
Kjo është arsyeja përse në bisedimet për krijimin e koalicionit në Gjermani CDU/CSU dhe SPD po synojnë ndërmarrjen e hapave për sigurimin sa më shpejt të miliardave për forcimin e ushtrisëpor edhe për të krijuar më shumë pavarësi të Europës si dhe për të mbështetur më fort Ukrainën. Ndërkohë është e qartë, që europianët duhet të shpenzojnë shumë më tepër para për mbrojtjen e tyre dhe për të ndihmuar Ukrainën, vë në dukje agjencia e lajmeve Reuters duke iu referuar opinioneve që po mbizotërojnë aktualisht në radhët e të dyja partive CDU/CSU dhe SPD.
Si mund të veprohet për sigurimin e financave?
Parlamenti mund të vendosë një reformë lidhur me frenën e borxhit, gjë që do të lejonte marrjen e kredive më të larta. E nëse veprohet kështu, paratë mund të tërhiqen nga buxheti i rregullt. Por ka dhe një mundësi tjetër, që shpenzimet për mbrojtjen të jenë të shkëputura nga çështja e frenës së borxhit, ka propozuar së fundi kancelari Scholz.
Përpara tre vjetësh kancelari Olaf Scholzpropozoi krijimin e një fondi të posaçëm për forcimin e ushtrisë. Borxhi për krijimin e një fondi të posaçëm llogaritet nga borxhet e shtetit dhe rregullorja europiane e borxhit. Gjendja aktuale buxhetore në Gjermani është e tensionuar. Në raundin e parë të bisedimeve paraprake për koalicion të premten (28.02), ministri i Financave, Jörg pati një prezantim jo optimist, sikurse njofton reuters.
Ekspertët: 400 miliardë euro për mbrojtjen
Ekspertët e ekonomisë rekomandojnë 400 miliardë euro për ushtrinë, në mënyrë që t'i dërgohet një sinjal i qartë edhe presidentit rus Vladimir Putin. Për infrastrukturën ekspertët llogarisin 400 deri në 500 miliardë euro që duhen vënë në dispozicion në vitin 2025.
Sipas mediave këto propozime vijnë nga ekonomistët Clemens Fuest (president i institutit Ifo), Michael Hüther (Drejtor i Instituti të Ekonomisë gjermane), Moritz Schularick (President i Institutit të Kielit IfW) dhe Jens Südekum (Universiteti Heinrich-Heine, Düsseldorf. Ky raund ekspertësh u organizua me inciativën e ministrit të Financave të Saarlandit, Jakob von Weizsäcker.
Zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit, bëri të ditur, se kancelari Olaf Scholz ka ftuar në kabinet për të mërkurën (5.03.2025) kryetarët e partisë SPD, CDU/CSU. Në këtë takim synohet të shqyrtohet se si dotë veprohet më tej me ndihmat për Ukrainën duke pasur parasysh edhe samitin e posaçëm të BE-së që do të zhvillohet të enjten (6.03.2025) po për Ukrainën.
Si janë shanset në Bundestag?
Për reformimin e frenës së borxhit si dhe për krijimin e një fondi të posaçëm nevojitet votimi në parlament me shumicë të kualifikuar. Partitë që negociojnë për koalicion CDU/CSU dhe SPD së bashku nuk e arrijnë numrin e nevojshëm të deputetëve në parlamentin e ri që mund të konstituohet deri më 25 mars. Partinë në opozitë AfD dhe E Majta kanë fuqinë e një minoriteti bllokues. Këto dy parti janë kundër mbështetjes për Ukrainën. Kësisoj ose dy partitë që negociojnë aktualisht për koalicionin do të duhej të siguronin edhe mbështetjen e ekologjistëve. Kancelari i ardhshëm kristiandemokrati Friedrich Merz ka propozuar, që kjo çështje të shtrohet për votim në parlamentin aktual./dw