Zelensky: Jam i gatshëm të punojë me Presidentin Trump për bisedimet e paqes

Evropë

Zelensky: Jam i gatshëm të punojë me Presidentin Trump për bisedimet e paqes

Më: 4 mars 2025 Në ora: 20:12
Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij është gati të negociojë përfundimin e luftës trevjeçare mes vendit të tij dhe Rusisë “sa më shpejt të jetë e mundur”. Presidenti Zelensky shtoi se do të “punonte nën udhëheqjen e fortë” të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për të arritur një marrëveshje paqeje.

Presidenti Zelensky tha se diskutimi i tij i ashpër me zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar ishte “për të ardhur keq”. Ai shtoi se mbetet i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen që do t'i jepte Shteteve të Bashkuara të drejta të konsiderueshme dhe afatgjata mbi mineralet e rralla të Ukrainës. Mineralet janë të nevojshme për prodhimin amerikan të produkteve teknologjike.

Në një publikim në rrjetin social ‘X’, udhëheqësi ukrainas shkroi se diskutimet e tij me Presidentin Trump dhe Nënpresidentin JD Vance “nuk shkuan ashtu siç duhej. Është koha për të rregulluar gjërat. Ne dëshirojmë që bashkëpunimi dhe komunikimi i ardhshëm të jetë konstruktiv”.

Presidenti Trump i kërkoi zotit Zelensky të largohej nga Shtëpia e Bardhë dhe marrëveshja e mineraleve mbeti e panënshkruar.

Presidenti Trump dhe Nënpresidenti Vance, të ulur afër njëri-tjetrit në Shtëpinë e Bardhë, e quajtën zotin Zelensky mosmirënjohës ndaj ndihmave ushtarake amerikane me vlerë mbi 100 miliardë dollarësh që Uashingtoni u ka dërguar forcave të Kievit për të luftuar kundër forcave ruse që nga viti 2022.

“Ne vërtet e vlerësojmë se sa shumë ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj”, shkroi Presidenti Zelensky të martën. “Ne kujtojmë momentin kur gjërat ndryshuan pasi Presidenti Trump i dha Ukrainës sistemin Javelins”, një sistem raketash kundër tankeve. “Ne jemi mirënjohës për këtë”.

“Do të doja të ritheksoja angazhimin e Ukrainës për paqen”, shkroi Presidenti Zelensky. “Askush nga ne nuk dëshiron një luftë të pafund. Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur për të siguruar paqen e qëndrueshme. Askush nuk do paqe më shumë se ukrainasit”.

Nënpresidenti Vance i tha Zërit të Amerikës të martën se“ne besojmë se është në interesin më të mirë të Rusisë, por edhe në interesin më të mirë të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, për t’i dhënë fund këtij konflikti”.

Presidenti Zelensky tha se faza e parë e një armëpushimi“mund të jetë lirimi i të burgosurve [rusë dhe ukrainas] [që secili vend mban] dhe ndalim i menjëhershëm i sulmeve ajrore, që përfshinë sulmet me raketa, dronë me rreze të gjatë, sulmet mbi rrjetin energjetik dhe infrastrukturën tjetër civile dhe ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga anijet, nëse edhe Rusia e bën të njëjtën gjë”.

“Pastaj ne duam të ecim shumë shpejt nëpër të gjitha fazat e ardhshme dhe të punojmë me Shtetet e Bashkuara për të rënë dakord për një marrëveshje të fortë përfundimtare”, tha ai.

Por arritja e një marrëveshjeje paqeje mund të jetë e vështirë. Ukraina ka kërkuar prej kohësh rikthimin në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht të vitit 2014, përpara se Moska të pushtonte Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Në përgjithësi, Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të Ukrainës lindore, dhe është zotuar të mos ia kthejë asnjë pjesë të territorit qeverisë së Kievit.

Ndërkaq, Presidenti Zelensky ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në Evropë duhet të ofrojnë siguri për Ukrainën në mënyrë që ajo të mbrohet nga një sulm tjetër rus, pavarësisht nëse Moska pranon të ndalojë luftimet dhe t'i japë fund bombardimeve të përditshme ajrore ndaj Ukrainës.

Britania, Franca dhe një koalicion i vendeve të tjera evropiane ranë dakord fundjavën e kaluar për të dërguar trupa për një mision paqeruajtës në Ukrainë për të mbështetur një armëpushim. Megjithatë, Presidenti Trump ka refuzuar që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë mbrojtje ushtarake për të zbatuar një armëpushim kundër një agresioni të ardhshëm rus.

Deklarata e Presidentit Zelensky erdhi disa orë pasi Presidenti Trump ndërpreu ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën.

“Presidenti ka qenë i qartë se ai është i përqëndruar te paqja”, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i lartë i administratës përmes postës elektronike. “Ne kemi nevojë që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Ne po ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë për t'u siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”.

Presidenti Zelensky tha gjatë një fjalimi që u publikua të hënën në mbrëmje se vendi i tij ka nevojë për “paqe të vërtetë dhe të drejtë”, si dhe garanci sigurie që Rusia të mos kërcënojë përsëri Ukrainën në të ardhmen.

“Ishte pikërisht mungesa e garancive të sigurisë për Ukrainën para 11 vjetësh që e lejoi Rusinë të fillonte pushtimin e Krimesë dhe luftën në Donbas”, tha Presidenti Zelensky. “Më pas, mungesa e garancive të sigurisë i lejoi Rusisë të nisë agresionin ndaj tërë Ukrainës. Tani, për shkak se nuk ka ende garanci të përcaktuara sigurie, është Rusia ajo që po e mban këtë luftë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të martën se ndalimi i ndihmës ushtarake nga Uashingtoni për Ukrainën është kontributi më i mirë për kauzën e paqes dhe se mund të ndihmojë në shtytjen e Ukrainës për t'u përfshirë në një proces paqeje.

Presidenti Trump tha të hënën se një marrëveshje për mineralet e rralla ukrainase ishte me rëndësi thelbësore për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën. Ai shtoi se do të bënte një njoftim për këtë çështje të martën në mbrëmje kur të mbajë fjalimin para dy dhomave të Kongresit./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat