Tridhjetë e dy emigrantë, në përpjekje të kalonin Mesdheun, u shpëtuan nga një anije e OJQ-së pas disa ditësh të bllokuar në një platformë nafte afër Tunizisë. Sipas raportimit, emigrantët ishin pa ushqim dhe ujë, madje një prej tyre kishte ndërruar jetë si pasojë e urisë.
Shpëtimi u realizua nga OJQ-ja Sea watch, e cila mori të gjithë emigrantët dhe i dërgoi ata në anijen Aurora, por nuk ishte caktuar ende një port sigurie për ta. Emigrantët kontaktuan linjën emergjente Alarm Phone për të raportuar për gjendjen e tyre kritike dhe për vdekjen e një personi.
Në një video të shpërndarë nga OJQ-të, një prej emigrantëve tha se ata kishin mbijetuar pas fundosjes së gomones dhe se ndodheshin në pozita kritike.
Në vitin 2023, mbi 210,000 njerëz u përpoqën të kalonin Mesdheun, ndërsa shumë prej tyre u dërguan sërish në vendet pritëse dhe mbi 2000 humbën jetën.