Turqia ka nisur ndërtimin e një gardhi prej 8.5 km në kufirin e saj perëndimor me Greqinë për të forcuar sigurinë kufitare.
Prefekti i Edrenesë, Yunus Sezer, njoftoi se po ndërtohen gjithashtu kulla elektro-optike dhe po merren masa të tjera të sigurisë me mbështetje nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare. Kjo do të jetë hera e parë që Turqia nis ndërtimin e një gardhi të tillë në kufirin perëndimor, duke pasuar modelin e ndërtimit të mureve dhe gardheve të sigurisë që janë përdorur në kufirin lindor.
Në fazën e parë, plani është që të ndërtohet një mur në kufirin me Greqinë dhe më pas të shtohen mure dhe gardhe të tjera sigurie në të ardhmen.
Projekti i tanishëm përfshin ndërtimin e 8.5 kilometrave të gardhit gjatë këtij viti. Sezer gjithashtu njoftoi se puna për forcimin e rrugëve kufitare dhe ndërtimin e strukturave të tjera ka përfunduar dhe do të vijojë me ndërtimin e masave fizike të sigurisë.