​Liderët e BE-së do të takohen për një samit të posaçëm për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën

Evropë

​Liderët e BE-së do të takohen për një samit të posaçëm për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën

Më: 5 mars 2025 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Liderët e Bashkimit Evropian nesër do të takohen në një samit të posaçëm të Këshillit Evropian për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën.

"Liderët e BE-së do të diskutojnë se si BE-ja mund të mbështesë më tej Ukrainën dhe parimet që duhet të respektohen në vazhdim", njoftoi Këshilli Evropian, transmeton AA.

Në këtë kontekst, theksohet më tej se ata do të shkëmbejnë pikëpamje mbi kontributet evropiane për garancitë e nevojshme të sigurisë që kërkohen për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.

Në takim është ftuar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Këshilli Evropian njoftoi se takimi do të bazohet në takimin e 3 shkurtit në Bruksel, kur liderët "diskutuan se si të forcohet mbrojtja evropiane në aspektin e aftësive kolektive, financimit dhe partneriteteve strategjike", përcjell KosovaPress.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ftoi liderët e BE-së në takimin e 27 shkurtit.

Liderët evropianë janë përpjekur të forcojnë mbrojtjen e tyre dhe të mbështesin Kievin, derisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i avancoi drejtpërdrejtë negociatat me Rusinë për t'i dhënë fund luftës së saj trevjeçare me Ukrainën.

Trump gjithashtu ka pezulluar dërgimin e të gjithë ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, pas konfrontimit të tij me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Dje, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen prezantoi një plan për të mobilizuar rreth 800 miliardë euro për mbrojtjen e Evropës dhe për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes urgjente ushtarake për Ukrainën. Propozimi me 5 pika siç duket do të diskutohet në takimin e nesërm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat