Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po zhvillojnë sot një takim të nivelit të lartë në Bruksel të përqendruar tek mbështetja për Ukrainën dhe përforcimi i mbrojtjes në kontinent. Bisedimet urgjente, ku merr pjesë edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, zhvillohen në kushtet kur administrata e Presidentit Donald Trump, ka sinjalizuar se Evropa duhet të garantojë sigurinë e saj dhe ka pezulluar ndihmën për Kievin.
Udhëheqësit evropianë premtuan se do të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe thanë se do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se ky është një moment vendimtar për Evropën dhe Ukrainën.
“Evropa përballet me një rrezik të qartë dhe të prekshëm dhe për këtë arsye Evropa duhet të jetë në gjendje të mbrohet dhe ta vendosë Ukrainën në një pozicion që të mbrojë veten dhe të nxisë një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë”, tha ajo.
Zonja von der Leyen propozoi një plan, që do të ofronte deri në 800 miliardë euro investime për mbrojtjen dhe do të lehtësonte rregullat e buxhetit, në mënyrë që vendet që duan të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, të mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Presidenti Zelenskyy shprehu mirënjohjen për mbështetjen e partnerëve evropianë.
“Jemi mirënjohës që nuk jemi vetëm. Dhe këto nuk janë vetëm fjalë. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme. Ju dhatë një sinjal të fortë për popullin ukrainas, për luftëtarët ukrainas, për civilët, për të gjitha familjet tona dhe është diçka e mirë që nuk jemi vetëm”, tha ai.
Takimi mbahet mes pasigurive të shkaktuara nga pezullimi i mbështetjes ushtarake amerikane për Kievin pas takimit të tensionuar mes Presidentëve Trump dhe Zelenskyy, javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Trump po nxit Kievin dhe Moskën të arrijnë një marrëveshje paqeje.
Udhëheqësit evropianë këmbëngulën të enjten se qeveritë e tyre duhet të kenë një vend në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.
Kryeministri polak, Donald Tusk e vuri theksin tek nevoja për të ruajtur aleancën me Shtetet e Bashkuara, megjithë ndryshimet në qëndrimin tyre ndaj luftës.
"Fakti që ne duhet të marrim përgjegjësi shumë më të mëdha si Evropë për sigurinë tonë nuk do të thotë që të shpërfillim nevojën për aleancën më të ngushtë të mundshme me Shtetet e Bashkuara. Sot, Shtetet e Bashkuara janë një partner me më shumë kërkesa, më i vështirë, por duke forcuar mbrojtjen tonë, ne mund të ndikojmë de fakto në përmirësimin e marrëdhënieve transatlantike. Ruajtja e NATO-s dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara duhet të jenë gjithashtu prioriteti ynë absolut", tha ai.
Në kushtet e nevojës për forcimin e pozitave mbrojtëse të Evropës, Presidenti francez Emmanuel Macron po propozon idenë e përdorimit të arsenalit bërthamor të Francës për të mbrojtur kontinentin, përballë kërcënimeve nga Rusia.
“Kam vendosur të hap debatin strategjik për mbrojtjen që mund t’u ofrojë sistemi ynë parandalues (bërthamor) aleatëve tanë në kontinentin evropian. Çfarëdo që të ndodhë, vendimi ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në duart e Presidentit të Republikës, kreut të Forcave të Armatosura”, tha ai të mërkurën në një fjalim para kombit në prag të takimit të BE-së.
Franca është e vetmja fuqi bërthamore në Bashkimin Evropian.
Udhëheqësit evropianë patën një reagim të përzierë ndaj kësaj ideje, ndërsa Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se ajo përbën një kërcënim ndaj Rusisë./VOA