Paralajmëron kreu i inteligjencës gjermane, thotë se Rusia dëshiron të testojë Perëndimin

Evropë

Paralajmëron kreu i inteligjencës gjermane, thotë se Rusia dëshiron të testojë Perëndimin

Më: 9 mars 2025 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Rusia synon të testojë unitetin perëndimor, veçanërisht në lidhje me klauzolën e mbrojtjes kolektive të NATO-s, sipas Bruno Kahl, kreut të shërbimit të inteligjencës gjermane BND.

Në një intervistë me transmetuesin Deutsche Welle, ai tha se Rusia po shqyrtonte testimin e besueshmërisë së Nenit 5 të NATO-s, i cili thotë se një sulm ndaj një aleati duhet të trajtohet si një sulm ndaj të gjithëve.

“Ne shpresojmë shumë se kjo nuk është e vërtetë dhe se ne nuk do të vihemi në pozitën e vështirë që të testohet. Megjithatë, ne duhet të supozojmë se Rusia dëshiron të na testojë, të vërë në provë unitetin e Perëndimit”, tha Kahl.

Koha e një testi rus të klauzolës së mbrojtjes kolektive të NATO-s varet nga rrjedha e luftës në Ukrainë, sipas Kahl.

Nëse lufta përfundon më herët se 2029 ose 2030, kjo do t’i mundësonte Rusisë të përdorte burimet e saj teknike, materiale dhe personel për të krijuar një kërcënim kundër Evropës më shpejt, vuri në dukje ai.

“Është gjithashtu e mundur që një kërcënim konkret ose tentativë shantazhi nga Rusia kundër evropianëve mund të ndodhë më herët se sa ishte llogaritur më parë”, tha Kahl.

“Një fund i hershëm i luftës në Ukrainë do t’u mundësonte rusëve të drejtojnë energjinë e tyre atje ku ata duan realisht, domethënë kundër Evropës”, theksoi kreu e inteligjencës gjermane.

Kahl tha se Rusia parashikon një rend të ardhshëm botëror që i ngjan situatës në Evropë në fund të viteve të 90-ta, me praninë mbrojtëse të NATO-s të shtyrë prapa dhe sferën e ndikimit të Rusisë që zgjerohet drejt perëndimit – idealisht pa një prani amerikane në Evropë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat