Posta Gjermane shkurton 8.000 vende pune

Evropë

Posta Gjermane shkurton 8.000 vende pune

Më: 10 mars 2025 Në ora: 08:13
Posta në krizë - DP do të largojë 8000 punonjës

Posta Gjermane (Deutsche Post) do të shkurtojë 8000 vende pune deri në fund të vitit. Kjo përfshin sektorin e dërgimit të letrave dhe paketave në Gjermani, ku në fund të vitit të kaluar ishin të punësuar rreth 187.000 punonjës. Posta tani do të shkurtojërreth katër për qind të vendeve të punës. Thuhet se gjatë reduktimit të numrit të punonjësve do të kenë shumë kujdes për aspektin social. Kompania, me qendër në Bonn, e shpjegoi këtë vendim duke thënë se donte të bëhej më e vogël dhe më efikase.

"Shkurtimet e vendeve të punës do të bëhen me kujdes," tha drejtori Tobias Meyer. Sektori i dërgimit të letrave është problem për shërbimin postar prej vitesh për shkak të rënies së numrit të dërgesave. Por DHLnuk dëshiron të ndahet nga biznesi, theksoi Meyer.

Masat për uljen e kostove

Programi i kursimeve prek edhe fusha të tjera të kompanisë globale të logjistikës DHL, ku ka rreth 600.000 punonjës në mbarë botën. Rritja e kostove po krijon probleme për kompaninë. Vitin e kaluar (2024) është rritur bilanci i qarkullimit me tre për qind, në 84.2 miliardë euro, por rezultati operativ (EBIT) ra me 7.2 për qind në 5.9 miliardëeuro. Masat shtrënguese pritet të ulin kostot me më shumë se një miliard euro.

Meyer: Rritja e tarifave nuk mjafton

Njoftimi i shkurtimeve të vendeve të punës në Gjermani vjen vetëm dy ditë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje kolektive me sindikatën ver.di për rreth 170.000 postierë dhe punonjës të tjerë të logjistikës. Kontrata kolektive dyvjeçare parashikon rritje pagash me dy për qind fillimisht dhe tre për qind të tjera në vitin e dytë. Përveç kësaj, të gjithë punonjësit marrin një ditë shtesë pushimi vjetor, ndërsa punonjësit me përvojë më të gjatë marrin edhe një ditë tjetër pushim.

Meyer e sheh këtë marrëveshje kolektive si një nga arsyet e shkurtimeve të vendeve të punës. Marrëveshja rrit presionin e kostos, tha Meyer, duke shpjeguar: "Kjo marrëveshje kolektive do të na kushtojë rreth 360 milionë euro deri në fund të vitit 2026". Kjo, sipas tij, po ndodh në një mjedis tregu "në të cilin po shohim një rënie të përshpejtuar të ndjeshme të vëllimit të letrave”.

Sipas tij, rritja e tarifave postare që hyri në fuqi në fillim të vitit nuk mjafton. Departamenti vuan nga "kushtet sfiduese" dhe një "ekonomi relativisht e dobët", thotë ai.

Fushat e tjera - më fitimprurëse

Biznesi kryesor i shërbimeve postare në Gjermani ka qenë prej kohësh problematik për DHL, ndërkohë që fushat e tjera të biznesit janë më fitimprurëse - si për shembull, dërgesat ekspres, të cilat përdoren kryesisht nga kompanitë për të dërguar mallra dhe dokumente me shpejtësi.

Shërbimet e furnizimit dhe transportit të mallrave sjellin gjithashtu më shumë fitime. Megjithatë pasojat e krizës ekonomike dhe konflikteve gjeopolitike u ndjenë edhe në këto fusha biznesi. Kur bëhet fjalë për të ardhmen, menaxhimi i DHL-së duhet të jetë më i kujdesshëm. Ata ende presin një "mjedis makroekonomik të dobësuar", tha menaxhmenti. "Ne presim që situata globale politike dhe ekonomike të mbetet e paqëndrueshme edhe në vitin 2025”, tha CEO Meyer./dw

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat