Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po viziton Bosnje dhe Hercegovinën dhe foli pas një takimi me anëtarët e Presidencës së BeH, Zheljka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq.
“Tri dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit, NATO mbetet fort e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe sigurisë së këtij rajoni. Unë kam tri mesazhe kyçe që dua t’ua përcjell të gjithëve, por njëri është më i rëndësishmi… NATO mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha në fillim të fjalimit të tij.
Ai foli edhe për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, duke iu referuar veçanërisht krizës së shkaktuar nga veprimet e autoriteteve në Republika Srpska.
“Marrëveshja e Paqes së Dejtonit është gurthemeli i paqes në këtë vend dhe duhet të respektohet. Ne mbështesim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë. Çdo aktivitet që cenon Marrëveshjen e Dejtonit, rendin kushtetues ose institucionet shtetërore është i papranueshëm. Retorika dhe veprimet nxitëse janë të rrezikshme, pasi ato përbëjnë një kërcënim të madh për stabilitetin dhe sigurinë e BeH-së”.
Ai konfirmoi se NATO do të qëndrojë pranë BeH në rast të përshkallëzimit.
“Sigurisht, kam shqetësime për situatën e sigurisë, por ky nuk është viti 1992 dhe ne nuk do të lejojmë një vakum sigurie. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i përkushtuar të vazhdojë mbështetjen tonë të fortë, si përmes EUFOR-it ashtu edhe NATO-s. E di që EUFOR është plotësisht i përgatitur për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në BeH së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë”, ka shtuar ai.
Ai përsëriti qëndrimin se u takon politikanëve në Bosnje dhe Hercegovinë të zgjidhin situatën aktuale.