Ukraina njoftoi të hënën se do të blejë 4.5 milionë dronë me pamje nga perspektiva e parë (FPV) këtë vit, çka do të trefishonte blerjet e dronëve nga Kievi krahasuar me vitin e kaluar, në kuadër të luftës së vazhdueshme me Moskën, raporton AA.
Ushtaraku ukrainas bleu më shumë se 1.5 milionë dronë në vitin 2024, ku 96% e tyre u blenë nga prodhues dhe furnizues ukrainas, tha kreu i departamentit të politikave të prokurimit të Ministrisë së Mbrojtjes në një deklaratë.
Përfshirja e prodhuesve dhe furnizuesve ukrainas në këto blerje pati një efekt pozitiv në zhvillimin e industrisë së prodhimit të dronëve në vend, tha Hlib Kanievski, duke shtuar se shifrat do të jenë edhe më të larta këtë vit, transmeton KosovaPress.
“Këtë vit, shifrat do të jenë edhe më të larta, sepse kapacitetet e industrisë vendase të mbrojtjes në vitin 2025 janë afërsisht 4.5 milionë dronë FPV. Dhe Ministria e Mbrojtjes planifikon t’i blejë të gjithë ata”, thotë Kanievski.
Ai shtoi se Ministria e Mbrojtjes do të ndaj më shumë se 110 miliardë grivna ukrainase (2.6 miliardë dollarë) për të blerë dronë, me 102 miliardë (2.4 miliardë dollarë) që do të ndahen përmes Agjencisë së Prokurimit të Mbrojtjes.
Të gjitha planet e prokurimit për vitin 2025 kanë marrë fonde buxhetore, tha ai, duke shtuar se kjo do të lejojë që fronti i Ukrainës të “mbushet me mjete ajrore pa pilotë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022, Kievi i ka kushtuar vëmendje të madhe zhvillimit të sektorit të tij të mbrojtjes, duke zgjeruar veçanërisht industrinë dhe aftësitë vendase të dronëve si rezultat.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.