Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian filluan të hënën diskutimet për mënyrat se si mund të grumbullojnë financim për mbrojtje përmes huamarrjes së përbashkët, fondeve ekzistuese të BE-së dhe një përfshirjeje më të madhe të Bankës Evropiane të Investimeve.
Bisedimet e ministrave pasojnë një takim të liderëve evropianë të enjten e kaluar, pas vendimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ngrirë ndihmën ushtarake për Kievin, që ngriti dyshime edhe mbi angazhimin e Uashingtonit ndaj aleatëve evropianë.
Ministri polak i Financave, Andrzej Domanski, i cili drejton diskutimet, tha se samiti konfirmoi “vullnetin absolut politik për ta bërë Evropën më përgjegjëse për sigurinë e saj dhe për të gjetur para për një riarmatësim të madh të Evropës”.
Ministrat do të punojnë mbi një propozim të Komisionit Evropian që BE-ja të mbledhë 150 miliardë euro për të dhënë kredi për qeveritë për projekte të përbashkëta të mbrojtjes – një marrëveshje që Gjermania e mbështeti menjëherë.
“Ajo që Gjermania është shumë e hapur dhe që e kemi mbështetur në mënyrë eksplicite, është që, sa herë që kemi projekte vërtet evropiane në fushën e mbrojtjes, të mendojmë edhe për financim të përbashkët”, tha ministri gjerman i Financave, Joerg Kukies.
Një nga çështjet e debatueshme që lidhet me huamarrjen e përbashkët është se nga kush do të blihen sistemet e armëve. Franca udhëheq grupin e vendeve që preferojnë të blejnë nga kompanitë evropiane, ndërsa Gjermania është më e hapur për të blerë edhe jashtë Evropës.
Kjo dilemë e kahershme u bë më serioze pasi Uashingtoni ia ndërpreu Ukrainës qasjen në të dhënat e inteligjencës, municionet dhe pajisje të tjera, duke ngritur shqetësimin se mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me vende të tjera dhe duke bërë që disa sisteme të avancuara të armëve të mbeten të papërdorshme.
“Është shumë e rëndësishme që fondet të përdoren për të blerë produkte evropiane që janë pjesë e autonomisë sonë strategjike”, tha ministri francez i Financave, Eric Lombard.
Për të hequr pengesat e BE-së, Komisioni ka propozuar që të lejohet që të 27 qeveritë e BE-së të rrisin shpenzimet për mbrojtjen me 1.5 për qind të prodhimit bruto të brendshëm(PBB) çdo vit për katër vjet, pa shkaktuar masat disiplinore që parashohin rregullat e BE-së për borxhin.
Ministrat do të diskutojnë gjithashtu zgjerimin e përkufizimit ekzistues të shpenzimeve për mbrojtjen, i cili aktualisht përfshin vetëm pajisjet ushtarake. Sipas rregullave aktuale, ndërtimi i fabrikave të municioneve apo përforcimi i rrugëve dhe urave për të mundësuar kalimin e tankeve nuk konsiderohen si shpenzime për mbrojtjen, dhe shumë qeveri duan ta ndryshojnë këtë.