Ukraina kryen sulmin më të madh me dronë ndaj Rusisë, të paktën 3 të vrarë

Evropë

Ukraina kryen sulmin më të madh me dronë ndaj Rusisë, të paktën 3 të vrarë

Më: 11 mars 2025 Në ora: 15:07
Foto ilustrim

Ukraina kreu gjatë natës sulmin më të madh të saj me dronë ndaj Moskës që nga fillimi i luftës më shumë se tre vjet më parë.

Autoritetet ruse njoftuan se si pasojë, u vrarë të paktën tre persona, si dhe 4 aeroportet e kryeqytetit të vendit u mbyllën përkohësisht.

Sulmi kishte për qëllim të demonstronte aftësinë e Kievit për të luftuar, bëri të ditur të martën Ministria ruse e Mbrojtjes.

Moska tha se në total forcat ruse rrëzuan 343 dronë, përfshirë gjashtë pranë centralit bërthamor në Kursk.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi përmes një deklarate se kishte goditur objektet e naftës që ndodhen në rajonet e Moskës dhe Oryolit.

Ky zhvillim vjen pas sulmeve të vazhdueshme ruse me dronë e raketa ndaj Ukrainës, ku vetëm të shtunën u vranë 14 persona.

Së fundmi Presidenti Zelenskiy u ka bërë thirrje aleatëve të tij evropianë që të mbështesin idenë e një armëpushimi ajror dhe detar, që ai thotë se do të ishte një shans për të provuar gatishmërinë e Moskës për t'i dhënë fund luftës.

Kohët e fundit, pozicionet e Ukrainës në fushën e betejës janë vënë nën presion të madh, veçanërisht në rajonin rus të Kurskut, ku forcat e Moskës kanë nisur një ofensivë për të nxjerrë jashtë trupat e Kievit, të cilët janë përpjekur të mbajnë kontrollin e një cope territori, për ta përdorur në të ardhmen, për shkëmbim.

Po sot Ministria ruse e Mbrotjes njoftoi se forcat e saj kanë marrë kontrollin e Horkohos që në ndodhet në rajonin e Donetskut, në pjesën lindore të Ukrainës./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat